Elona Agolli, bija e shkrimtarit të njohur Dritëro Agollit, herë pas here po zbulon korrespondencën e babait të saj me të afërmit dhe miqtë e tij.

Së fundi, ajo ka zbuluar një letër që i ishte dërguar nga Ali Podrimja, në kohën sa e kishte të shtrirë djalin e tij Lumin, në një spital në Beograd.

Letra është e vitit 1979, dhe sipas Elenës, Ali Podrimja në atë kohë duhet të ketë qenë 37 vjeç.
Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund ti gjej ndonjë mjek të mirë, për djalin e tij Lumin. Kurse letra ishte drejtuar Beograd-Tiranë.

Më poshtë po ju sjellim letrën e plotë të Ali Podrimës, që ia kishte nisur në vitin 1979, Dritëro Agollit.

I dashur Dritëro ,

Dëshiroja të jem me Juve, por qe ,më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë .

Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar . S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.

I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin , të gjej ilaç për jetën e tij.

Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.

Më fal , nuk po mundem më të shkruaj .

Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.

Me dashuri vëllazërore

Ali Podrimja

30.10.79 , Beograd

P.S

30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time .

Aliu.

MUND TË JU PËLQEJNË