Ndonëse autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi, Ali Podrimja ka pikasur me disa prej tyre në mënyrë më të theksuar.

Madje vargjet e poezisë “Unë, biri yt, Kosovë” të poetit po vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj në Kosovë. Këto vargje të fuqishme janë bërë një lloj himni që shpalos një krenari e shfaq dashuri deri në vdekje për vendin.

Padyshim që krenarë për këto vargje janë edhe familjarët e Podrimës.

Vajza e Ali Podrimës, Donika Podrimja ka treguar për KultPlus së është krenari që vargjet e babait vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj të pasluftës për një Kosovë bashkëkohore që frymon shpresë.

“Është krenari kur vargjet e babait, që na kanë mbajtur të palëkundur në kohërat më të rënda për shqiptarët, vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj të pasluftës për një Kosovë bashkëkohore që frymon shpresë. Vargjet e Ali Podrimës për ne si familje janë muzikë e spektakleve madhështore të djemve të Kosovës.

Më poshtë po ju sjellim poezinë “Unë, biri yt, Kosovë”

“Unë, biri yt, Kosovë’’

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,

t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,

t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,

t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;

ta di gjakun që të vlon në gji,

dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta

e të shpërthej do si vullkan: –

më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.

Unë biri yt.

MUND TË JU PËLQEJNË