Në historinë 11 vjeçare të Kosovës si shtet i pavarur nuk kishte ndodhur që një kryeministër të dorëhiqej vetë. Kjo ka bërë që të komentohet në mënyra të ndryshme dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe janë shtruar shumë pyetje nëse ai mund të vazhdojë ende punën si kryeministër si në detyrë.

Dikush madje thoshte që është në kundërshtim me Kushtetutën fakti që Haradinaj kishte thirrë mbledhje të Qeverisë, pas dorëheqjes së tij.

Por këshilltarja e tij, Meliza Haradinaj-Stublla, në një shkrim të publikuar në profilin e saj, ka shpjeguar me disa shembuj se si Hardinaj ka të drejtë të ushtrojë postin e kryeministrit, derisa të zgjidhet një tjetër i ri pas zgjedhjeve.

Ajo ka përmendur rastin e kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May, e cila ka thënë dorëheqje më 7 qershor, ndërkohë ka qenë kryeministre në detyrë deri më 25 korrik, kur atë e ka zëvendësuar Boris Johnson, shkruan Gazeta Express.

“Për ilustrim, nuk besoj se do të kemi shembull më të dinjitetshëm të dorëheqjes sesa ajo që vjen nga djepi i demokracisë në botë, dorëheqja e Kryeministres britanike Theresa May me datë 7 qershor, dhe vazhdimin e detyrës së saj si kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar deri dje me datë 25 korrik, kur edhe ia dorëzoi detyrën kryeministrit të ri Boris Johnson dhe u largua me fjalim lamtumirës nga 10 Doëning Street. Përgjegjësia shtetërore është e shenjtë dhe duhet të ipet llogari për të deri në momentin e fundit, pavarësisht sfidave personale”, ka shkruar ajo.

Ndër të tjera ajo ka thënë se Albin Kurti duhet t’i gëzohet vendimit të Speciales që e detyroi Haradinajn të jap dorëheqje, pasi sipas saj sa i përket opozitës, kreu i AAK-së do të kishte qëndruar në pushtet edhe për 50 vjet të tjera.

“Albini e opozita duhet t’i “falënderohen” Gjykatës Speciale për dorëheqjen e Kryeministrit, sepse sa për frikën tonë ndaj rrëzimit të Qeverisë prej tyre, ne do të mund të qëndronim edhe “50 vjet””, ka shtuar këshilltarja e Haradinajt.

Këshilltarja e Haradinajt ndër të tjera ka përmendur edhe qëndrimet e Haradinajt kundër ndarjes së Kosovës, duke thënë se kjo ftesë mund të jetë edhe një sinjal që drejtësia po i dorëzohet përsëri agjendave politike.

“Koincidenca e momentit të ardhjes së ftesës për drejtësi, është vështirë të injorohet. Në fakt, nëse analizojmë në retrospektivë, të 4 herat e përballjes së Ramush Haradinajt me drejtësinë (duke përfshirë edhe Francën 2017), kanë qenë pikërisht në momentet më të ndjeshme politike të Kosovës.Pas lejimit të devijimit të dialogut në tema të ndarjes dhe korrigjimit, me këtë ftesë, duket që drejtësia po i dorëzohet (përsëri) agjendës politike”, ka potencuar ajo.

Në fund ajo i ka pasur edhe disa fjalë për ata që dorëheqjen e Haradinajt e kanë cilësuar si veprim taktik për përfitime politike.

“Akti i dorëheqjes së Kryeministrit është (përveçse përgjegjësi morale për mosdorëzim të shtetit të Kosovës për eksperiment) është akt mospajtimi me skenarët e ndarjes e defunksionalizimit, dhe refuzim për me gjunjëzu Kosovën duke “kërcënuar/frikësuar” kryeministrin e vendit.Është normale që Serbia dhe Vuqiqi thonë se është manovrim politik, sepse shkuarja në Hagë e Ramush Haradinajt si qytetar i thjeshtë e jo si Kryeministër, e fuqizon paprekshmërinë e shtetit të Kosovës, dhe ridrejton presionin ndërkombëtar politik tek Serbia.Për fund, akti i dorëheqjes NUK është instrument për të dobësuar partnerët apo kundërshtarët politik. Ata që e lexojnë si të tillë, duhet të jenë ose tepër të lënduar politikisht sepse e njohin (pa) fuqinë e tyre politike, ose janë të dorëzuar përpara parimit të fisnikërisë e sinqeritetit”, ka përfunduar këshiltlarja e Haradinajt, Meliza Haradinaj-Stublla.

MUND TË JU PËLQEJNË