Aranita, studente e vitit të tretë në njërin nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës, tash e dy vjet ka mbetur pa e dhënë provimin e fundit në fakultet, shkruan “Kosovarja”.

Ka mësuar e ka mësuar dhe profesori gjithmonë ka gjetur ndonjë arsye se ajo ende duhet të mësojë… A duhet lënë fakultetin për një provim?

Fidani, student i ekonomikut:
– Aranitën nuk e njoh, por dhe një shoqe imja, në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, qe dy vjet ka mbetur pa e dhënë provimin e fundit dhe as ajo nuk po di ç’të bëjë…

Por, një gjë dihet, nëse Aranita, por edhe shoqja ime e Ekonomikut që e përmenda kanë qenë të afta t’i jepnin të gjitha provimet e mëparshme, pse të mbesin pa e kryer fakultetin vetëm për një provim?!

Këtu ka diçka që të shtynë të mendosh paksa më gjatë.
E, çka?
Nuk di…

Jehona, studente e letërsisë:
– Po më duket se Aranitën për të cilën po flisni e ka motra ime shoqe. Edhe unë e njoh. Profesori i ka fajet dhe as që duhet kërkuar fajin tjetërkund.

Derisa Aranita i ka dhënë të gjitha provimet e mëparshme, madje edhe me kohë, hë, ç’mund të thuhet tash?!

Ndoshta profesori është i korruptuar dhe pret t’i pikë diç në gojë…

Eurona, studente e anglishtes:
– Nuk e njoh Aranitën, por meqë edhe vetë jam studente, mendoj se kur një student është i aftë t’i jap 30 provime, kurse i mbetët vetëm një pa e dhënë, madje edhe i hasë sharra në gozhdë, atëherë si është e mundur të mos e kalojë edhe provimin fundit?!

Unë, po të isha në vend të saj, do kërkoja që provimin ta jepja para komisionit dhe atëherë profesori do e sheh se a ka pasur ajo ende “nevojë” të mësojë a jo…

Besarta, studente e edukimit:
– Nuk mund ta marrë me mend se si një student, i cili i ka dhënë së paku 30 provime, nuk është në gjendje ta japë edhe provimin e fundit!

Por, vajhalli për disa profesorë tanë… Nëse profesori ka ndonjë synim ndaj saj, qoftë edhe material, kjo nuk do të thotë se ajo duhet t’i përgjigjet profesorit si do ai.

Vlera, studente e mjekësisë:
– Jam në vitin e parë të studimeve dhe vetëm një provim deri tash e kam dhënë, një provim semestral. E, nuk di si do të jetë fundi i provimeve të mia.

Por, si studente e re, mendoj se ajo duhet të mësojë sikur ka mësuar në provimet e mëparshme dhe t’ia mbyllë gojën profesorit. S’ka rrugëdalje tjetër…

Ose të gjejë ndonjë intervenim të fortë, sepse të rrallë janë ata profesorë, siç po dëgjoj nga studentët absolventë, se nuk i hanë intervenimet…
Por, me mësuar është më mirë…

Për fund
Mendimet dhe komentet e të anketuarve qenë të ndryshme, e Aranita qe dy vjet ka mbetur pa e kaluar provimin e fundit…
A thua, pse? D. Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË