Ata që e mbajnë mend miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, e dinë kur thuhej se as me demarkimin e kufirit Kosova nuk e fiton liberalizimin e vizave, sepse kriter ishte dhe mbetët edhe lufta kundër korrupsionit. Por, a po luftohet korrupsioni?!, shkruan “Kosovarja”.

Nëse lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetët kriter për heqjen e vizave, Kosova realisht nuk do ta fitojë lirinë e lëvizjes në BE as sot e as në mot, siç thuhet në popull!

Në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra që nuk kanë marrë përgjigje akoma – pse dhe si kanë ndodhur dhe kush janë kryerësit penalë?

Ende nuk ka përgjegjës, të akuzuar e as të dënuar për vjedhjet që ndodhën në dhomën e dëshmive në policinë e Kosovës!

Ende ka dyshime, apo nuk ka konstatim final për (vetë)vrasjen e Dino Asanajt, drejtuesit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ku kishte të dyshuar!

Ende nuk ka përgjegjës për vjedhjen e 25.3 kilogramëve të arit në dhomën e dëshmive në Pejë!

Ende nuk ka përgjigje të bindshme zyrtare nëse kontrata e Qeverisë së Republikës së Kosovës me “Bechtel Encan”, për Autostradën Prishtinë-Shkup, ka gëlltitur ligjërisht mbi 50 milionë euro të qeverisë, shkaku i vonesës së pagesave në këste, përderisa e njëjta kontratë nuk e sanksionon kompaninë e ndërtimit të kësaj autostrade për vonesë disamujore!

Nuk ka përgjegjës për ndryshimet e destinacioneve të ndërmarrjeve publiko-private, e as për mbajtjen e parave që mbahen në bankat e jashtme, pas shitjes së ish-pronave!

Ende nuk ka të dyshuar apo të akuzuar për vrasjet politike pas vitit 1999 në Kosovë!

Është enigmatike, ligjore apo joligjore, se si shumë të dënuar vuajnë dënimin në shtëpitë e tyre!

Nuk ka të dyshuar e as të dënuar për punësime masive familjare në Qeveri, nëpër ministri, PTK, në Bankën Qendrore të Kosovës dhe në institucione të tjera publike, me e pa konkurse dhe mbi baza tërësisht nepotike!

Nuk ka të dyshuar apo të akuzuar për dhjetëra kryetarë komunash për abuzime me paranë publike dhe kurdisje tenderësh në konflikte interesi!

Dhe, këto janë vetëm disa nga mega-problemet e konfliktit të interesit, për të cilat shpesh kanë reaguar edhe ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë, si dhe ndërkombëtarë të tjerë, kanë raportuar edhe mediet e huaja, kurse Qeveria e Kosovës e akuzon vetëm Serbinë si fajtore të mospranimit në Interpol!

Në Kosovë konfliktet e interesit më shumë u përkasin institucioneve, ndërsa qytetarët, si pasojë të këtyre konflikteve, mbesin pa trajtime mjekësore dhe në kërkim të vazhdueshëm të mbrojtjes së shëndetit dhe të kujdesit social familjar.

Qytetarët, si pasojë e këtyre konflikteve të interesit institucional e shtetëror, i kanë quar duart nga punësimet e merituara. Tashmë është bërë traditë që konkurset për punësim në nivele e profile institucionale-publike, të kuptohen vetëm si vende të rezervuara për familjarët e klasës politike.

E, klasa politike, konkretisht zyrtarët e AAK-së, as që po i demantojnë këto punësime, përkundrazi po i mbrojnë, duke deklaruar se janë në pushtet dhe se po të kishin mundësi çdo pjesëtarë të AAK-së dhe familjarët e tyre do i punësonin.

Por, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe partitë e mëparshme që ishin në pushtet!
E habitshme, a?! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË