Tragjedia e tërmetit në Shqipëri po përcillet me solidaritet nga popujt e mbarë botës, sipas mundësive të tyre, shkruan “Kosovarja”.

Shqiptarët e Kosovës për më shumë se solidaritet, ata edhe po e ndjejnë thellë dhembjen ndaj vëllezërve dhe motrave në Shqipëri, prandaj edhe i kanë hapur dyert për të prekurit e të pastrehët që la tërmeti i datës 26 Nëntor.

Veshmbathjet e pakot ushqimore, që janë grumbulluar për në Durrës, janë dëshmuar me pamje direkte nga pikat grumbulluese, duke listuar dërguesit me emra e mbiemra nga çdo qytet i Kosovës.

Por, diçka tjetër që po bënë jehonë propagande, janë premtimet financiare për ndërtimin e shtëpive në Shqipëri.

Është për t’u përshëndetur dhurimi i 100 mijë eurove i këngëtarit të mirënjohur kosovar Sabri Fejzullahu me familje. Janë për t’u admiruar të gjitha premtimet që po fliten në vlera parash financiare, sepse ka shumë të tillë që flasin se kanë dhënë apo premtojnë para për të pastrehët në Shqipëri.

Por, që kjo të mos kalojë në propagandë për emër e kapuç, siç po thuhet në popull, mirë është të veprohet si Berat Buzhala – paratë e dhëna për Shqipëri i dokumentoi me faksimil nga banka.

E, jo si në stilin e Dua Lipës dhe të Rita Orës, ku u tha se dhanë nga 1 milion euro për Shqipërinë, kurse doli se janë fjalë të portaleve që veç bëjnë propagandë!

Andaj, do të ishte mirë që edhe këngëtari dhe artisti Sabri Fejzullahu, por jo vetëm ai, edhe ata që kanë dhënë edhe në shuma më të vogla, dhënien e parave për Shqipërinë ta dëshmojë me faturë bankare.

Përndryshe, po krijohet një ambient propagandistik pa mbulesë. Po bëjnë jehonë, e pastaj po e demantojnë si lajmi i rremë a dezinformatë.

Shkurt e shqip, secili me çka ka mundësi mund të kontribuojë në mënyrën e vet, por të mos shfrytëzohet tragjedia në Shqipëri për lavde që dikush të përfitojë kredibilitet kombëtar në stilin – po premtoj, sepse nuk ka kush e verifikon. Safet Krivaça
/Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË