I afrohen një plaku në sheshin e Prishtinës, që kërcente me të tjerët, duke festuar shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe e pyesin: “Plak, si po ndihesh për këtë festë?”. Ai përgjigjet: “Po kënaqem e s’po më intereson si po ndihem!”.

Do i themi sonte natës lamtumirë dhe më nuk do të kthehet kurrë ndër ne. Nuk do na e kthej më asnjë dashuri që na solli. Nuk do na kthej më asnjë buzëqeshje që solli. Do na i merr të gjitha në pa kthim! Do të vjen dita e parë dhe do të sjellë të papritura, shumë iks e ipsilon, ndër të cilët shqetësimin më të madh për shtetin.

Shoh se më shkojnë lotët nën sy, por nuk është e udhës ta nis me lot ditën e parë të vitit të ri. Lotët kanë një tjetër kuptim, pra. Mund të qajnë për ditën e fundit të vitit që po e lëmë. Sepse, më nuk do të kthehet kurrë. I ngjanë një të vdekuri që ka lënë histori, aq sa ka bërë histori.

Por, historia na qon te shteti ynë, Kosova, dhe sërish nuk kemi sesi të mos merremi me lotët tanë. Ngado që flasim ka lot dhe na rrethojnë lotët.

Po hyjmë në vitin 2019 me shumë të panjohura dhe iks ipsilon. Ndërkaq, historiku i vitit që e lamë pas nuk ka qenë i mirë e i begatë.

A vlen ta nisim vitin 2019 me më pak inate ndaj njëri-tjetrit?

Më erdhi kjo ide falë ëndrrës që pash mbrëmë dhe kur u zgjova në mëngjes, kuptova se mua nuk më takojnë meritat e inatit për bërjen e shtetit, por i takojnë shpirtit. Vetëm ai ka aftësi hyjnore, prandaj ëndrrat janë nëna e sukseseve në botë.

Inati më bëri më të zotin se shokun tim të fëmijërisë që ndanim me të kafshatën e bukës. Na merrte babai te bazenët e minierës së qymyrit, që ishte mbushur bar e ujë. Babai sodiste hapësirën në kërkim të ideve për kthimin e tokës që ia kishte marrë shteti, ndërsa unë dhe fqinji gjuanim gurë në “liqejtë” e shumtë të minierës. Kur unë gjuaja gurin nga lart, hezi i qonte deri në shtatë rrathë uji, që shkonin duke u zgjeruar. Por, kur gjuante fqinji im, guri i tij i bënte nëntë rrathë. Kjo ma shtonte inatin dhe inati më shtyu të shkoja deri në 11 rrathë uji.
Ditë pas ditësh dhe unë e munda fqinjin tim në rrathët e ujit, që krijonte guri në “liqejtë” e minierës.

Pra, të kemi inate, do jetë shumë pozitive në vitin që sapo shkelim, sepse do të kemi bisedime përmbyllëse me Serbinë.

Nuk dimë çka do të humbasim në këtë fund enigmatik të shtetbërjes dhe nuk dimë nëse do të përfitojmë diçka që do ta begatojë shtetin tonë?!

Në këtë moment më cingëroi telefoni dhe, me të hapur atë, e kisha prekur gabimisht. Për çudi, në monitor ishte shfaqur djali i vogël me të motrën, që ua kishin masakruar babanë serbët gjatë luftës! Unë kisha shkruar për ta pas lufte, kur ata ende ishin fëmijë, por tash janë rritur.

Ata thoshin se babanë ua kishin vjedhur dhe do kthehej. Në fakt, kur ia merr dikujt jetën, ke vjedhur jetën e dikujt. Ua ke vjedhur fëmijëve babanë që u ka siguruar atyre bukën dhe ëndrrat e mira dhe ua ke privuar përkëdheljen atërore nga floku i tyre.

E, sa mijëra fëmijëve në Kosovë ua ka vjedhur Serbia baballarët dhe nënat!

Lotët nuk janë të dëmshëm

Kur pash foton e dy jetimëve në monitor, mu mbushën sytë lot. Drini, që po fliste me telefonin e vet, pa se unë po qaja dhe më tha: “Ti po qan, a?”.

U mundova t’i fsheh lotët, por nuk munda. Thashë se lotët rrinë të fshehur thellë në shpirt dhe kur janë atje nuk i sheh askush, kurse kur dalin nga sytë është turp të fshihen. Kjo më dha disi kurajë të flas me të…

I tregova se këta dy fëmijë sonte e presin natën e vitit të ri pa babanë e tyre, që ua kanë vrarë serbët. Ata e presin, në fakt, 20 vjet vitin e ri pa babanë e tyre…

Partitë e depsuzve!

Kemi shumë televizione publikë dhe disa lokalë, eqë na japin dy lloje programesh: Programin e debateve politike dhe programin e këngëve muzikore. Në debate shfaqet inati ndërmjet partive. Disa parti që marrin pjesë në ekipin negociator, do të shkojnë ta përfaqësojnë shtetin në bisedime me Serbinë, kurse dy parti të tjera që nuk do jenë në atë ekip, shprehin inatin se nuk duan të marrin pjesë në të. Thonë dhe synojnë që fillimisht të bjerë qeveria aktuale dhe të bëhet një qeveri tjetër, e tek pastaj të kyçen në ekip.

Pra, ato dy parti në popull kanë filluar të quhen depsuz parti!

Për krahun e të qeshurve

E viti 2019 nuk vjen vetëm për ata që festojnë me lot! Vjen edhe për ata që festojnë me të qeshura e hare. Romansieri i famshëm, Khaled Hoseini, në librin e tij “Gjuetari i balonave”, çuditet edhe me dashurinë! Ndër të tjerash, e konteston dashurinë e nënës së vet që e kishte dashuruar babanë e tij shumë, edhe pse ai kishte gërhitur shumë në gjumë! Kur prisnin vitin e ri në Kabul të Afganistanit, babai i tij, e që pinte raki në Dubai, pak para orës 24, zakonisht, flinte. Por, gruaja e donte aq shumë sa e puthte në gojë kur ndërronte ora e madhe…

E, unë kam një humor të mirë për gërhamën. Kam njohur një burrë që peshonte 140 kilogramë, të cilit i është dëgjuar gërhama te fqinjët!

Për një vit të ri e lusin të shkonte në Stamboll, për ta festuar vitin e ri atje, te ca kushërinj, e që kishin shkuar atje në vitet gjashtëdhjetë.

Kishte pranuar të shkonte vetëm pasi i kishin thënë se atje ka bakllava shumë…

Dhe, kur arrin atje, ngopet mirë me bakllava dhe ia shtron gjumit. Nis të gërhatë aq shumë sa të gjithë në atë shtëpi i lë pa gjumë…

Safet Krivaça (Kosovarja)

MUND TË JU PËLQEJNË