Pos gjendjes së rënduar, qytetarët e Kosovës e sidomos shtresa e varfër e popullësisë, po përballën edhe me vjedhje gjatë blerjes së produkteve elementare në pothuajse çdo rast.

Kjo pasi mos kthimi i 1 ose 2 centëve, vazhdon të mbetet problem për konsumatorin kosovar, e në anën tjetër bizneset vazhdojnë të përfitojnë ilegalisht në këtë mënyrë, pa u penguar nga askush.

Duke u bazuar në të dhënat e një raporti të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale del se në Kosovë rreth 29.3 për qind e familjeve jetojnë në varfëri të skajshme, me më pak se 1.72 euro në ditë, ndërkaq rreth 10.2 për qind jetojnë me më pak se 1.20 euro në ditë.

Duke marrë një shembull, nëse brenda ditës një supermarket arrinë të shesë 10 apo 20 mijë produkte që kushtojnë 99 cent, në fund të ditës ai biznes fiton 100 deri 200 euro nga moskthimi i 1 centit, ndërsa gjepat e qytetarëve varfërohen.

E nëse e njëjta gjë vazhdon gjatë një viti, ai supermarket del me një fitim prej 36,500 respektivisht 70 mijë euro, e që i bie mijëra euro me pak në gjepat e konsumatorëve.

Kjo e drejtë e qytetarëve është e rregulluar edhe me ligj pasi në Kosovë, ekziston edhe Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili e rregullon mbrojtjen e së drejtës themelore të konsumatorëve pranë blerjes së prodhimeve dhe shërbimeve, e ndër to theksohet “E drejta për mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve dhe e drejta e mbrojtjes juridike e konsumatorit.”

Në shumicën e marketeve, si arsyetim i moskthimit të këtyre monedhave është fakti se në kacë, kanë mungesë të tyre por edhe janë qytetarët ata të cilët nuk shfaqet të interesuar ti marrin ato.

Por nga raportet e fundit nga Banka Qëndrore, konfirmohet se në tregun e Kosovës, ka sasi të mjaftueshme të këtyre monedhave dhe arsyeja e mungesës së tyre në treg nuk qëndron.

Kryetari i shoqatës “Konsumatori” per ‘Syri.net Kosova thotë se për të eliminuar këtë dukuri si masë e parë është zbatimi i ligjeve.

Sipas tij, pastaj duhet vetëdijesuar qytetarin konsumator taksapagues që të insistojë në të drejtat e tij dhe të ngulë këmbë e të kërkojë që ti kthehet kusuri.

“Duhet të ndryshohet menjëherë mentaliteti, logjika mashtruese te një pjesë e mirë e afaristëve, pronarëve të bizneseve e punëtorëve të tyre” shton ai.

Përfitimet financiare të bizneseve nga ky mashtrim arrin shumën deri në 50 milionë euro në vit, ose 5 mije vende pune me pak, thotë kryetari Kaçaniku.

Më heret kemi dalë me një vlerësim aproksimativ se brenda një viti abuzohen,keqpërdoren, nuk këthehet kusuri në vlerë deri në 50 milione euro ne vit, ose shndërruar në vende pune, rreth 5.000 vende pune ne vit. Dmth. pak mendësia mashtruese e më shumë edhe përtesa e galanca e tepruar e qytetarit konsumator, natyrisht edhe mungesa e idesë…bëjnë që Kosovës nga këto veprime mashtruese ti humbisen nga 5.000 vende pune në vit.

Ndërsa ish kryetari I Odës Ekonomike, Safet Gerxhaliu per “Syri.net Kosova” thotë se kjo është një dukuri ballkanike që duhet të eleminohet, pasi sjellë vetëm përfitim tek marketet e mëdha.

“Është e vërtet që në Kosovë, flitet për probleme dhe barriera të shumta me të cilat ballafaqohet qytetari i Kosovës, që dëshmon edhe njëherë më së miri mungesen e sundimit të rendit dhe ligjit. Në këtë drejtim në mungesë të kësaj forme të transparencës ekonomikisht kemi dështuar në fiskalizim, dhe në një shtet ku nuk ka fiskalizim dhe transparence dhe llogaridhënie, nuk bisedohet as për 1 cent as për 2 centa, që është dukuri jo vetëm e Kosovës por edhe e Ballkanit por jo edhe e Europës Perendimore.

Sipas tij, në qoftë se në këtë drejtim do të vazhdohet edhe më tutje, do të kemi evazion fiskal dhe prapë qytetari do të jetë ai që do të goditet.

“Të anashkalohet kthimi i 1 centi është vetëm përfitim tek marketet e mëdha dhe jo i qytetarit dhe përveq formave të tjera qytetari po goditet me moskthimin e 1 centi apo në kompenzim me një “sakëz” ose produkt tjetër, kjo është një dukuri ballkanike që duhet të eleminohet dhe eleminimini i vetëm është sundimi i rendit dhe ligjit dhe fiskalizimi”

Kujtojmë se përveq iniciativës qytetare te para disa viteve “Kthema 1 Cent” e cila kishte provuar të ngrisë vetëdijen e qytetarëve për këtë dukuri ilegale që po zhvillohet nëpër qendrat tregtare të Kosovës, në asnjërin rast institucionet e vendit nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim.

Syri.net Kosova ka provuar të marrë përgjigje nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë në lidhje me këtë dukuri të bizneseve, mirëpo të njejtit nuk janë përgjigjur.

MUND TË JU PËLQEJNË