I dashuri Naz, as djali yt i hasretit, Driloni, as vajzat, motrat dhe njerëzit e familjes dhe të gjithë miqtë e tu, nuk e prisnin që sot t’i detyroje të ta thonë lamtumirën e fundit!

Nuk e prisnim asnjëri prej nesh që të zgjidhje një ikje të tillë, që të largoheshe, duke u ngutur aq shumë në një copë udhë, fundin e së cilës e kemi të gjithë të siguruar.

Aq më pak e prisja unë, si një nga miqtë tu më të moshuar, t’më detyroje për të hedhur në letër këtë lamtumirë të hidhur!

Me përvojën time të gjatë në gazetari, letrat lamtumirëse kurrë nuk i kam dashur, e që nuk e dua edhe sot, tek po i shkruaj këto fjalë për ty…

Jam i fundit ndër të gjallët që e piva kafen e mëngjesit me ty, tek më tregoje se i kishe bërë ca analiza.

Më the:
“I sëmurë jam! Asnjëherë nuk kam qenë kështu!”.

“E kalon edhe këtë Naz! Mos u dorëzo prej një flame, he burrë!” – ta ktheva, me një qeshje më shumë aktruese, meqë fytyra jote tregonte se, vërtet, nuk ishe mirë.

“Jo, jo, as mendja nuk më shkon të dorëzohem! Edhe ti e di se nuk ka limë që m’hanë!”, ma ktheve, duke e ndezur cigaren, e që ishte e fundit në jetën tënde dhe duke e marrë një pozë me qëndrim burri të odave, tek e çove kryet lart dhe, pastaj, ia plase gazit…

Për momentin kam shumë “fotografi” në kokë, që më sillen vërdallë e më kthejnë në kohë…

Më kujtohen vitet e gjata kur punonte arkëtar i një gjiganti informativ, siç ishte aso kohe “Rilindja”. Të gjithë i bënte miq dhe të dashur me buzëqeshje e batuta të shumta…

Më kujtohen edhe ditët kur regjimi serb e ndaloi edhe “Rilindjen” dhe Nazi, bashkë me ekipin, qëndroi ca vite në Tiranë, duke e vazhduar botimin e gazetës “Rilindja” atje.

Atje punonte edhe si kontabilist, por edhe arkëtar, jo edhe pa rreziqe. I sillje pagat për punëtorët e “Rilindjes” në Prishtinë. Ishte një punë me shumë rreziqe nga regjimi serb…

Në këto çaste më kujtohen edhe përjetimet, torturat që m’i tregonte, e që ia kishin bërë policët serbë gjatë kalimit të kufirit Maqedoni-Kosovë…

Po, më kujtohet edhe shumëçka… Edhe ditët kur erdh e u bë pjesë e stafit tonë, i “Kosovares”.

Nazi ishte njeri që i përjetonte gjërat më me dramacitet dhe e kishte vështirë të përballej me tekat dhe mosmirënjohjet, e që jeta i rezervon shpesh. Nuk pajtohej me realitetin, për të cilin shpesh thoshte: “E, valla, u kënaqëm me këtë liri!”.

Dinte të qeshte edhe si fëmijë, gjë që dinë ta bëjnë pak njerëz në moshën e tij.

E, qeshja e tij tregonte sinqeritetin e tij. Tregonte se ishte njeri i drejtë, sikur që edhe jetoi e shkoi.

Shkurt e shqip: Naz, do na mungosh, sepse humbëm jo vetëm bashkëpunëtorin e mirë, por edhe njeriun e mirë! Do na mungojë edhe buzëqeshja jote. Po aq edhe fjalët, të cilat krijonin atmosferë ndeje edhe me batuta e gafe, të cilat na bënin të qeshnim, por herë-herë edhe të na bësh nervoz e të mos pajtoheshim për gjithçka…

I tillë ishte Nazi, punëtori ynë, miku ynë – Nazmi Rrmoku, e që kemi për çka ta kujtojmë…

Sot e gjithmonë i lehtë të qoftë dheu i tokës sonë, miku ynë! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË