Të dielën e 6 tetorit, kosovarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur legjislaturën e shtatë. Procesi i zgjedhjeve është zhvilluar pa incidente dhe është vlerësuar lartë mënyra e organizimit dhe dalja e qytetarëve në votime.

Por, pas mbylljes së qendrave të votimit, duket se diçka nuk ka rrjedhur si duhet.

Një formular i shpërndarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për bartjen e të dhënave për partitë politike, kishte gabime teknike gjë që u ka shkaktuar telashe komisionerëve në nxjerrjen e rezultateve të sakta.

Korniza e katrorëve ku do të duhej të shkruheshin të dhënat për subjektin e parë të renditur në fletëvotime (111. Partia Liberale Egjiptiane) ka munguar gjë që ka shkaktuar kaos në përpilimin e rezultatit të saktë.

Ndërsa në një vendvotim në Vushtrri, të gjitha votat e partive politike në fund i janë regjistruar Listës Serbe.

Indeksonline në bazë të hulumtimeve në faqen e KQZ-së, ku janë publikuar rezultatet, në një vendvotim në komunën e Gllogocit, ka parë se Partia Liberale Egjiptiane ka marr 180 vota, ose 75% ndërsa Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrë asnjë votë. Ky është një gabim pasi që në këtë komunë nuk jeton asnjë pjesëtarë i komunitetit egjiptian dhe është e pamundur që PDK në bastionin e saj, të mos marr asnjë votë.

Pastaj në një qendër të votimit në Klinë, votat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i janë bartur partisë “Sloboda”, gjithsejtë 67 vota, ndërsa AAK ka mbetur pa asnjë votë.

Sërish në Klinë, në një vendvotim tjetër duket se është dëmtuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Votat e këtij subjekti i janë regjistruar partisë “Nova Demokratska Stranka”. Ky subjekt ka marrë 39 vota, ndërsa AAK asnjë.

Ndërsa në një vendvotim tjetër në Klinë, derisa të gjitha partitë shqiptare kanë siguruar vota, Nismës Socialdemokrate nuk i është regjistruar asnjë votë, ndërsa subjektit të renditur nën Nismën “Jedinstvena Goranska Partija” i janë regjistruar tetë vota. Ky rast mund të jetë i dyshimtë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që për 313 vendvotime të këtë rinumërim, ndërsa nuk dihet nëse këto raste të identifikuara nga Indeksonline ndodhën në listën e rinumërimit.

Rikujtojmë se tri subjekte politike, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave. Dyshimet e ngritura nga formularët, mënyra e procesimit të votave, mos përputhja e rezultateve në formularë, lë hapësirë për rinumërim të plotë të votave.

MUND TË JU PËLQEJNË