Me kontrolle falas Kosova po e shënon muajin e ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Kjo pasi Klinika e Onkologjisë po ofron kontrolle me ultrazë pa participim për të gjithë personat që vizitohen këtë muaj tek onkologu.

Këtë e ka konfirmuar në një intervistë për KosovaPress edhe Sonja Blakaj, onkologe, e cila ka thënë se është lajm i mirë që në Kosovë nuk ka rritje të personave të prekur me këtë sëmundje.

Meqenëse tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, Blakaj i kushton rëndësi të posaçme kësaj çështje, duke i ftuar gratë që të vetëkontrollohen, të kryejnë ekzaminimin klinik të gjirit nga një personel shëndetësor, e në rast nevoje të bëjnë edhe ekon e gjirit dhe mamografinë.

“Kanceri i gjirit është sëmundja malinje e gjinjve, e cila lajmërohet rëndom në moshën 40-45 vjeçare. Është sëmundja malinje më e shpeshtë dhe me incidencë më të madhe tek femrat. Tek ne çka është e mirë, është se popullata jonë është e re, kështu që nuk kemi aq raste të reja sa i ka rajoni meqenëse popullata është më e vjetër. Çka e shkakton kancerin e gjirit, janë disa faktorë të riskut që mund të ndikojnë. Njëherë e kisha përmend anamnezën familjare…pastaj cikli menstrual, çrregullimi i tij mund të jetë edhe një faktorë risku, menstruacionet e hershme apo të vonshme, mbipesha, joaktiviteti fizik. Këta janë disa nga faktorët e rrezikut”, thotë ajo.

Ajo thotë se fakti se gjiri është organ që gjendet jashtë murit torakal, e bënë të lehtë për kontroll, meqenëse ndryshimet mund vërehen edhe në pamje.

MUND TË JU PËLQEJNË