Ilir Spanca është këngëtar prishtinas, i cili aktualisht jeton dhe punon në Gjermani . Muzika e ka shoqëruar që nga fëmijëria, duke pasur parasysh që është djalë i këngëtarit shumë të njohur të muzikës popullore shqipe, Riza Spancës, i cili ka qenë ndër themeluesit e ansamblit “Azem Bejta”, ansambël shumë i suksesshëm për shumë vite radhazi.

Vlen të përmendim, se në këtë kohë, kur të gjithë artistët e ri e kanë fokusin tek muzika komerciale, Iliri, vjen në skenën muzikore fuqishëm për të vazhduar muzikën e mirëfilltë shqipe.

Ilir Spanca karrierën publike e filloi me këngën “Xhane-xhane”, pastaj e vazhdoi me këngën “Jam dorëzu”, si dhe me videoklipin e sivjetmë “Këndojmë së bashku”, ku bashkë me babën e tij shkëlqejnë me vokalin e harmonizuar, si dhe me këngët e zgjedhura e të pëlqyera gjithandej.

Muzikën dhe këngën popullore e ke trashëguar nga babai, rapsodi ynë i njohur, Riza Spanca, i cili njihet edhe themelues i SHKA “Azem Bejta”. Ç’thua për këtë?
– Po, babai është arsyeja kryesore që unë të merrem me muzikë, si dhe shokët e tij të ansamblit në atë kohë. Në ndeja dhe ahengje, përpos këngës folklorike, këndohej shumë edhe kënga popullore.

Na fol pak për veten se kur keni filluar të këndoni?
– Kur kam filluar nuk di saktësisht sa vjeç isha, por kam qenë anëtari më i ri i SHKA “Rilindja” në folklor, ku kam kënduar një këngë duet, por kam marrë pjesë edhe si instrumentist me çifteli. Në qendrën e pioniereve aso kohe ka pasur shumë fëmijë, të cilët sot janë emra të njohur në muzikën tonë.

Tashmë je i njohur, kryesisht, për këngë të muzikës popullore e folklorike. Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore?
– Më vonë kam qenë anëtar i SHKA “Azem Bejta”, ku është punuar me shumë seriozitet. Moto ishte: “Kënga duhet të del e mirë ose të mos këndohet fare!”.

Ke disa këngë të lansuara në treg dhe vidioklipe, të cilat nuk kanë kaluar pa tërhequr vëmendjen e adhuruesve të muzikës gjithandej. Ç’mund të na thuash për këtë?
– Për këto këngë dhe videoklipe ka pasur shumë fjalë të mira dhe përkrahje. Pasi që është fillimi dhe janë videoklipet e para, shpresoj se ato në të ardhmen do të dalin edhe më të mira.

Meqë jeton e vepron në Gjermani, a merr pjesë në ndonjë mbrëmje muzikore, aheng familjar a në dasma dhe sa janë ato të organizuara, si dhe ç’muzikë dominon në to?
– Unë jetoj në Gjermani prej vitit 1992. Në ahengje familjare dhe me shoqëri këndoj, kurse gjatë verës edhe në dasma.

Muzika komerciale konsiderohet rëndomë si muzikë negative. Ti, si e komenton këtë?
– Muzikën komerciale nuk e preferoj, por edhe nuk e gjykoj.

Ç’mund të presin adhuruesit nga ti?
– Për vitin e ardhshëm kam përgatit një album live, 2 këngë të reja, ku njëra është duet me një këngëtare, si dhe një këngë me komponim dhe orkestrim të Florent Boshnjakut, kurse me tekst të Fatmir Mujës.

Dhe, në fund, ke ndonjë mesazh për të rinjtë që merren muzikë?
– Mesazhi im për këngëtarë të rinj është: Nëse ta do zemra dhe ta thotë mendja, atëherë mos u ndal!

MUND TË JU PËLQEJNË