425 kadetët e rinj që u pranuan në Policinë e Kosovës po përballen me ushtrime të vështira e herë të papërballueshme.

Disa prej tyre, për arsye të ndryshme e kanë ndërprerë udhëtimin e tyre për t’u bërë polic e për t’i shërbyer shtetit të Kosovës.

Kohëve të fundit, është rritur numri i kandidatëve që kanë kërkuar dorëheqje. Kjo bëhet e ditur përmes një përgjigje nga Policia e Kosovës.

Aty thuhet se për shkaqe personale, për studime si dhe për kujdesi ndaj prindit, dorëheqje kanë dhënë shtatë kadetë.

“Që nga fillimi i trajnimit të Gjeneratës 54 me datën 21.01.2019 deri me sot, dorëheqje kanë dhënë 7 kadetë. Arsyet e dorëheqjes janë si në vijim: arsye personale, për studime, për kujdesje ndaj prindit”, thuhet në përgjigjen e lajmi.net.

Megjithatë, në realitet duket se arsyetimet e dhëna nuk qëndrojnë.

Kadetë të cilët aktualisht po i vijojnë trajnimet në këtë Akademi, në kushtet anonimiteti kanë thënë për lajmin se ushtrimet e vështira po i detyrojnë ata të largohen.

Madje ata thonë se nuk kanë munguar as rastet kur ndonjëri prej tyre është lënduar.

“Ka ushtrime të vështira. Disa janë larguar edhe prej tyre. Ka pasur edhe raste ku në trajnime atyre u ka rënë të fikët dhe kanë pësuar lëndime”, thonë ata.

Sidoqoftë, informacione të tilla nuk janë konfirmuar edhe zyrtarisht.

Kujtojmë, se kjo gjeneratë është e para që ndjek një trajnim profesional të validuar.

MUND TË JU PËLQEJNË