Pa u shpërndarë Kuvendi dhe pa u përcaktuar data e zgjedhjeve, në Kosovë është ndezur fushata politike, shkruan “Kosovarja”.

Ndonëse para kohe, të gjitha partitë janë vënë në angazhim parazgjedhor, duke mos e pasur komoditetin as guximin të futen të vetme në garën zgjedhore.

Është shenjë e keqe se të gjithë duan me dikë, përveç nëse duan ta qojnë në opozitë PDK-në. Rruga për ta mënjanuar PDK-në nga skena politike, si subjekt për qeverinë e re, qon te rrënimi i Hashim Thaçit menjëherë pas formimit të qeverisë.

Në Kosovë, më pak se çdo kund tjetër në botë, shihet djathtas e majtas në politikë, sado që kanë dëshirë do parti ta quajnë veten të majta e të djathta.

Megjithatë, dominante është një gjë:
Asnjë parti nuk ka program! Sikur të kishte dikush program, ai do të ishte program shpëtimi.

Në zgjedhjet e ardhshme, si duket, është vetëm një program, e ai është si të gjendet mundësia ta largojnë PDK-në nga qeverisja e Kosovës, me synim të rrëzimit të Thaçit nga posti i presidentit, për shkak të frikës nga ndarja e Kosovës!

Sikur janë nisur gjërat, ky projekt mund të jetësohet.
Por, ka akterë politikë, të cilët po i moralizojnë proceset e reja politike me marrëdhënie që vijnë nga momente të caktuara ndërpartiake.

“Janë bërë bashkë ujku e dhia”!
Kapaku gjet tenxheren”!
“VV nuk mund të bëjë koalicion me askënd, sepse i ka sharë të gjithë”!
“Isa Mustafën e quajti VV argat të Serbisë”!
E të tjera… Pra, fjali që përdoren më shumë për inate politike…

Sidoqoftë, Qeveria duhet të formohet. Zgjedhjet duhet të mbahen. Partitë dhe akterët e tyre duhet të ndërgjegjësohen. Koha sjell procese të reja, të cilat kërkojnë bashkëpunime të reja.

Ndërskamcat nuk e kanë vendin në marrëdhëniet e sotme politike, kur shtetin e presin sfida dhe rreziqe të shumta dhe të dukshme.

Akterët politikë që sillen nëpër debate, duke ia kujtuar njëri-tjetrit se kanë thënë dikur kështu e ashtu, nuk duhet të jenë në publik, sepse po krijojnë përçarje për interesa të caktuara personale dhe klanore.

Sepse, interesat politike për vendin nuk i njohin moralizimet dhe ndërskamcat ofenduese që kanë ndodhur dikur. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË