Ideja e Albin Kurtit për bashkim me Shqipërinë, mund të ketë pasoja për partinë e tij, shkruan “Kosovarja”.

BE-ja sheh rreziqe për lëvizje të shumta kufitare në marrëdhëniet gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor, ku edhe është i përqendruar fokusi i rreziqeve.

Kosova deri këtu ka ardhur mbi parimet kushtetuese të diplomatit finlandez Marti Ahtisari, i cili propozoi për Kosovën, fillimisht, pavarësi të kushtëzuar, me mundësi të shpalljes së shtetit pas disa vjetësh, e që u jetësua më 2008.

Marti Ahtisari thotë se Kosova nuk mund të bashkohet me ndonjë shtet tjetër, e as nuk mund të ndahet.

Mosndarjen e Kosovës e garanton Rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Por, përtej kësaj që është sot në fuqi, Albin Kurti mendon se Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë.

Fërkimet në Ballkanin Perëndimor janë tepër të ashpra, aktualisht kur Serbia është nën ndikim të madh të rrymës politike të Rusisë, që po mundohet ta ketë Serbinë si patos për ta kthyer ndikimin e vet në këtë pjesë të Evropës.

Kosova dhe Shqipëria, zyrtarisht, kanë diku 45 marrëveshje ekonomiko-tregtare të ngrira dhe gjërat në këtë sferë nuk janë në nivelin e duhur, konform asaj që flitet. E, ajo që flitet lë përshtypjen e një popullizmi patriotik të historisë!

Nëse Albin Kurti do ta qojë Kosovën drejt kësaj politike, të cilën BE-ja e sheh çdo ditë, atëherë do të jetë e vështirë që VV-ja t’i rezistojë kohës dhe ndikimit të BE-së.

Janë shumë parti sot, të cilat, të djathta a të majta, e kanë humbur ndikimin e tyre popullist në shtetet e veta, shkaku se i janë larguar kushtetutës së BE-së.

Albin Kurti më shumë njihet nga BE-ja si lider opozitar, që synon bashkimin, se sa si një lider që do e qojë Kosovën në rrugë të forcimit të shtetit të Republikës së Kosovës, duke garantuar jetë dinjitoze për qytetarët.

Brenda kësaj politike, Albin Kurti i hapë rrugë edhe Serbisë për ndryshime gjeopolitike në Ballkan. Nëse një shtet ka të drejtë bashkimi me një shtet tjetër me shumicë shqiptare, atëherë edhe Serbia do ta konsideronte rrugë legjitime politikën secesioniste përmes bashkimit me Republikën Serbe dhe, eventualisht, edhe me Kosovën Veriore.

Lëvizjet e tilla do të ishin fatale për rajonin dhe kjo është pika në të cilën këmbëngul Gjermania dhe Britania e Madhe për një Kosovë shtet, në kufijtë që aktualisht edhe i ka sot.

Mjerisht, tërmetet politike në SHBA me Trampin dhe ndryshimet e mundshme që mund të vijnë në shtetin më të fortë të botës, mund të sjellin dobësim të pozicionit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sidoqoftë, Serbia dëshiron që Kosova dhe Shqipëria të ndjekin rrugën e bashkimit, sepse kështu edhe ata do të realizonin planin millosheviqian të luftërave në ish-Jugosllavi.

Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË