Rrallë ndodh të ketë hero më të përbuzur se Selman Kadria, i cili jetoi vetëm 32 vjet, por la pas një vepër shumë të madhe, vrau një vojvodë serb, me nam të keq në Istog e më gjerë. Sidoqoftë, në popull historia e tij ishte shumë kontradiktore, duke u bartur në disa variante nga një qark në tjetrin, nga një njeri te tjetri dhe nga një qëllim në qëllimin tjetër, shkruan “Kosovarja”.

Selman Kadria, e që varri i tij ndodhet në varrezat e fshatit Cërcë të Istogut, ka lënë vepër madhore, duke vrarë çetnikun serb, Miliq Kërstën, zbatuesin e terrorit shqiptar. Përmendorja e Selman Kadrisë, e ngritur paralufte, u thye dy herë dhe vandalët nuk janë zbuluar kurrë. Në fshat dyshojnë se veprën e kanë kryer serbët, sepse nuk ka asnjë arsye tjetër që kjo të këtë ndodhur nga shqiptarët.

Kush ishte Selman Kadria?
Në përmendoren e Selman Kadrisë, mbi varr, gjendet epitafi, me fjalët e shokëve të idealit:

“Ju shtegtarë që kaloni pranë këtij trimi

Veprën mos t’ja harroni

bijve tuaj ua kujtoni!”.

Selman Kadria ishte rrogëtar i vojvodë Miliq Kërstës. Ishte argat i tokës së Miliq Kërstës, e që dy hise ia jepte atij e një e merrte për vete. Një ditë, para se ta kryente vrasjen e vojvodës, Miliqi e kishte ftuar në shtëpinë e tij, por Selman Kadria nuk i ishte përgjigjur thirrjes.

Të nesërmen i kishte dërguar zyrtarët ta merrnin Selmanin dhe e kishte qortuar pse nuk i ishte përgjigjur ftesës së tij.

Vojvoda kishte kërkuar të dilte në natyrë rreth lumit “Istogu” dhe, duke e ndier veten të molisur, i kishte thënë Selmanit se ndihej i lodhur me bartjen e pushkës, armatimit.

Selmani, me t’ia marrë manzerën, provon një fishek në ajër. Miliqi i thotë: “Mos luaj me armë se po më vret!”. Atëherë, Selman Kadria shkrepë plumbin tjetër dhe e vret Miliq Kërstën. Ia humb dokumentet nga çanta e tij dhe shalon atin e del në Bjeshkët e Nemuna, për të kaluar pastaj në Rugovë e prej atje në Shqipëri.

Një nga këngët që i këndohet Selman Kadrisë është:

“Aiii, rrehi teli o i sharkisë

Me i knu hatme Selman Kadrisë

Pushkë të madhe i dha Serbisë!

Ka marrë rrugën ka t’fillu

O Selmani ju ngërmu

Ju ngërmu o i ka thanë

Kthehu knena o tradhtar

A e din ti sa ke pre shqiptarë!

Ti sa nana ke lanë pa djalë

Ke lanë nana pa djem të ri

Ke vra gjin’ tuj shku në mulli

E në djepa ke pre sabi…”.

Pak të dhëna biografike…
Selman Kadri Hasanaj u lind në Cërcë të Istogut, në vitin 1906. Si i ri u dallua me virtyte e shkathtësi. Ishte mahitar, tregimtar dhe rapsod i talentuar.

Si këngëtar i shquar, i kishte takuar grupit të rapsodëve të mirënjohur të asaj kohe, Brahim e Ali Kabashit, të cilët, me këngët popullore dhe me zërin e tyre brilant, sikur i kishin dhënë vullnet për jetë e qëndresë nën pushtimin e egër serb mbarë popullit të Podgurit.

I ftuar në dasma, fjalë nusesh e ahengje, Selmanit i kishte rastisur të takohej me shumë burra të shquar e patriotë, por edhe me figura të ndryshme politike të kohës.

Në saje të takimeve të tij të shpeshta me Smajl Ali Bicajn, për herë të parë ishte ndeshur me literaturë shqiptare, që Smajlit fshehurazi ia kishte sjellë Sali Hoxha nga Orrobërda, i cili i kishte marrë në konsullatën shqiptare në Shkup.

Këta libra Smajli i kishte lexuar vetë dhe ua kishte shpërndarë shokëve të tij të besueshëm, si: Avdyl Sylë Mavrajt, Idriz Fazlisë, Tafë Maxharrit, Selman Kadrisë, Brahim Ukë Kabashit, Ali Kabashit etj.

Të influencuar nga literatura shqiptare, të indinjuar nga shtypja e egër serbe, këta shokë të besës disa herë kishin biseduar për organizimin e një kryengritjeje të armatosur për t’u liruar njëherë e përgjithmonë nga tutela serbe, shkruan “Kosovarja”.

Në anën tjetër, Selman Kadria është ndër figurat më kontroverse patriotike shqiptare. Historia dhe vepra e tij kanë nxitur reagime nga më të ndryshmet, lidhur me rrethanat e vrasjes së vojvodës serbo–malazez, Miliq Kërstës, me gradë kapiten.

Vojvoda ishte një strateg i rrallë ushtarak në shfarosjen e shqiptarëve të Istogut dhe më gjerë, në aksionet serbo-malazeze kundër shqiptarëve. Karakteristikë e punës së tij në këtë pjesë gjenocidale kundër shqiptarëve ishte se një pjesë e këtij krimi edhe nuk dihej. Ishte një strateg që e ndihmonte shtetin serb në realizimin e projekteve antishqiptare në Kosovë.

Miliq Kërsta njihej në masë për veprat çnjerëzore në Istog e rrethinë, duke qenë njëri ndër serbo-malazezët më strateg të krimit shtetëror mbi shqiptarët dhe, si dorë e fortë shteti, ai krijonte pasuri mbi bazat agrare, për çka ishte e nevojshme të kishte rrogëtarë apo punëtorë krahu.

Polemikat dhe ofendimet
Pas vrasjes së vojvodës serb është zhvilluar debat i ashpër në media dhe posaçërisht sot në rrjetet sociale të internetit, ku një strukturë e tërë njerëzish zhvillojnë akoma polemika dhe ofendime nga më të ndryshmet rreth fakteve dhe kundër fakteve se kush ka qenë Selman Kadria, njeriu që sot e ka përmendoren në varrezat e fshatit Cërcë të Istogut.

Në pllakën përkujtimore të përmendores së Selman Kadrisë, kujtuar nga shokët e idealit, del se Selman Kadria kishte shokë të idealit. Ata shokë, siç thonë sot pleqtë në Cërcë të Istogut, kishin qëllime çlirimtare.

Nipi i Selman Kadrisë, Agron Jashar Hasanaj, që jeton në SHBA, përmes rrjetit social shpjegon rrjedhën gjenetike të familjes dhe shkruan:

“Familja e Selman Kadrisë është ndër familjet më të vjetra në fshatin Cërcë. Babai i Selmanit ishte Kadri Ferizi, ndërsa nëna e Selmanit, Fatimja, ishte bijë nga fshati Moistir i Istogut.

Selman Kadria ishte i martuar me Zojë Blakajn nga Vrella. La pas vetes djalin e vetëm, Jashar Selman Hasanajn dhe dy vajza: Shkurte e Rroshe Hasanajn. Jashar Selman Hasanaj la pas pesë djem dhe dy vajza.

Kujtimin e vetëm nga Selman Kadria e kemi varrin e gjyshit dhe atë shkijet e dëmtuan disa herë. Djali i axhës, Nimon Beka, si dhe Hasan Zeqë Hasanaj ia morën gjakun Selmanit.

Familjen e Selmanit e larguan nga Cërca, ia konfiskuan gjithë pasurinë: 10 hektarë tokë, shtëpinë dhe të gjitha. E, kurrë fshati nuk ka qenë në gjendje t’ia ofrojë një truall djalit të Selman Kadrisë!

Toka, pasuria e Selmanit u shit e u stërshit. Djali i Selmanit ishte vetëm tre vjeç kur çetnikët, në bashkëpunim me shqiptarë, e prenë me sëpatë, e masakruan trimin e Potgurit.

Por, prapambeturia dhe miqësia e disa shqiptarëve me serbë nuk patën të ndalur. Selmanit ia morën të gjitha.

E, ne, nipat e Selmanit, u detyruam të marrim rrugën e kurbetit në Amerikë. Jashar Hasanaj vdiq në vitin 2001”.

Ç’thotë për Selman Kadrinë, dëshmitari i kohës, Xhemë Arif Rexhaj?
Derisa për figurën e Selman Kadrisë shkruajnë dhe flasin njerëz jokompetentë, të paautorizuar, duke e devijuar nga realiteti i zhvilluar dramën mes Selman Kadrisë dhe vojvodës Miliq Kërstës në vitin 1938, plaku më i moshuar në Cërcë, Xhemë Arif Rexhaj, dëshmitar i kohës, në kohën kur e zhvilluam këtë bisedë, vrasjen e Miliq Kërstës e tregon pa ngjyrime politike, ashtu si ishte në realitet:

“Unë foli pa politikë për Selman Kadrinë dhe veprën e tij. Nuk ja jap krahun të pavërtetës dhe kjo çka them unë është e vërteta dhe kushdo që kërkon fakte tjera prej këtyre që po i them, e ka me qëllim jo të mirë.

Kanë shkruar edhe gjëra që nuk janë të vërteta, me qëllim jo të mirë, por them se vepra e Selman Kadrisë, që vrau Miliq Kërstën, nuk ka të bëjë asgjë me moral të asnjë natyre.

Kur u vra Selman Kadria, mixha Avdyl ka qenë kryeplak i fshatit Cërcë. Pas vrasjes së Miliqit, në fshat kanë hyrë xhandarmëria serbe dhe kanë përdor dhunë, duke rrahur fshatarë, nga të cilët kanë kërkuar të tregojnë se ku gjendet Selman Kadria.

Mixha Avdyl ka shkuar në stacion të xhandarmërisë në Istog dhe u ka thënë pse po i rrahin katundarët e tij. E, zëvendësi i Miliqit ia kthen: “Po i rrahim, sepse Selmani e ka vra Miliqin!”.

Mixha u ka thënë xhandarëve mos i rrihni shqiptarët e Cërcës, se po vazhduat kështu, si tash, keni me e harruar Selmanin…

Nga stacioni i xhandarmërisë është kthyer mixha Avdyl në Cërcë, por Selman Kadrinë nuk e ka takuar, sepse kishte dal në Bjeshkët e Nemuna. Por, ushtria serbe e kishte penguar Selmanin me dal në Rugovë, që të dilte në Shqipëri.

Selmani ka qëndruar më gjatë se dy muaj në bjeshkë, pa ra në dorë të xhandarmërisë. Nuk e ka pasur lehtë me jetuar atje, pa bukë e pa ujë. Kam pas dëgjuar nga fshatarët e mi se ai ndonjë natë vinte në Cërcë për me marr bukë e ujë dhe kthehej menjëherë, duke bërë përpjekje të largohej në Rugovë.

Por, bjeshka ishte e mbushur me xhandarë e ushtarë serbë dhe s’kishte kah me ja mbajtur…

Në bjeshkë Selmani ishte takuar me djalin e dajës së tij, Hetemin, që ishte duke i ruajtur dhitë, në stane. I ka thanë Hetemit: “Thuaj dajës Ramë se jam këtu e dua bukë”.

Selman Kadria ka pasur besim në dajën e vet dhe nuk e ka pritur të keqen prej tij… Por, pasi i ka dhënë bukë, daja ka shkuar te xhandarët në Istog dhe u ka treguar se e di ku ndodhet Selmani.

Ai merret vesh me xhandarët dhe kthehet te Selmani kishe për me i ruajtur dhitë. Shkijet nuk e kanë vra Selman Kadrinë, por e ka pre daja, Ramë Vuthi, me sakicë.

Daja i ka ra sakicë në mes shpatullave në momentin që Selmani ka hipur në kalë. Kur e ka pa Selmani se çka u bë, ka ra nga kali. Gjaku i kishte shkuar curril. E, për mos me ra në dorë të shkijeve, niset ngadalë drejt kërrshit që të hidhej poshtë, me e mbytë veten.

Por, kërrshi ishte paksa larg e gjakderdhja e madhe nuk e la Selmanin me arritur te kërrshi. Mbetet i shtrirë në tokë pa arritur te caku.

Xhandarët bashkë me dajën e marrin Selmanin dhe e dërgojnë në Istog. Aso kohe ai ende ishte gjallë. Atje ishte një krua e Selmani ka kërkuar ujë. I kanë dhënë ujë me grushte. Kur e kanë pru në qendër të Istogut, ku është kisha, ka vdekur.

Sa ishte gjallë, Selmanin e kanë pyetur xhandarët se ku i ka lënë dokumentet e Miliqit, e Selmani u kishte thënë se i ka në prapanicë…

Xhandarët i kanë thënë dajës se kanë pasur qejf me zënë gjallë Selmanin dhe me treguar se kush e ka ndihmuar, kush i ka dhënë bukë e ujë…

Selmani ka qenë rrogëtar i Miliqit. Pra, ka qenë rrogëtar dhe asnjë lidhje tjetër me Miliq Kërstën nuk ka pasur”, thotë bashkëkohësi i Selmanit, tash më i moshuari i Cërcës, Xhemë Arif Rexhaj.

Pse u desh të vriteshin tre serbë brenda një dite?
Ditën e vrasjes së Miliq Kërstës banorët e fshatit Cërcë nuk e dinë me datë, por i referohen vetëm si ngjarje e vitit 1938.
Ishte dashur të vriteshin tre serbë prej tre shqiptarëve… Arsyen pse duhej të vriteshin, nuk e di as plaku Xhemë Arif Rexhaj, por ai i di tre emrat e tre burrave që duhej t’i vrisnin tre serbë të lartë në pozita:

“Atë ditë u desh t’i vrasin tre serbë: Arse Peroviqin ka pasur me e vra Brahim Ukë Kabashi; Arsin Qirikun ka pasur me e vra Brahim Rexhaj i Zabllaqit dhe Selman Kadria ka pasur me e vra Miliq Kërstën.

E, punën e ka kryer vetëm Selman Kadria, kurse të tjerët e kanë tradhtuar idealin dhe Selmanin.

Pra, dikush i ka porositur vrasjet dhe dihet se këto porosi janë bërë prej burrave të kombit e jo prej gjithkujt. Vrasjet kanë pasur me u bë në tre serbët që kanë qenë më zullumqarë mbi popullin shqiptar.

Pra, kjo është e vërteta e vrasjes se Miliq Kërstës nga Selman Kadria dhe nuk ka të bëjë me ndonjë qëllim tjetër…

Prandaj, Selman Kadria ka bërë vepër të madhe. Sepse, me e vra vojvodën nuk ka qenë lehtë dhe është dashur me kanë fort azgan, i fortë, meqë çdokush s’kishte mundur me e bërë një gjë të tillë…

Selmani ka qenë i zhdërvjellët dhe trim, ka qenë strateg dhe e ka quar në vend amanetin e popullit me e vra zullumqarin më të madh të Istogut, Miliq Kërstën.

Vendi ku u vra Miliq Kërsta nga Selman Kadria edhe sot quhet “Pusi i Miliqit”, thotë xha Xhema.

Hakmarrja për Selman Kadrinë
Xhemë Arif Rexha ka thënë tutje se gjaku i Selman Kadrisë është nxjerrë nga kushërinjtë e tij.

“Gjakun e Selmanit e kanë marrë kushërinjtë e tij. Bash qaty ku ka vdekur Selmani, e kanë vra Ramë Vuthajn, pra dajën e Selmanit.

Selmani nuk ka pasur vëlla, por gjakun e kanë nxjerrë njerëzit e gjakut të tij. Me hakmarrjen ndaj Ramës, dajës së Selman Kadrisë, u barazuan sado pak gjërat… Hakmarrja e barazoi rastin dhe e mbylli punën”, ka thënë xha Xhema, 83 vjeç, më i moshuari i fshatit Cërcë dhe bashkëkohës i Selman Kadrisë.

Ramë Vuthit i lënë letrën në ballë…
Pas vrasjes së Ramë Vuthit, nga kushërinjtë e Selman Kadrisë, imami i xhamisë së Istogut, Haxhi Jahjaja, nuk e kryen ceremoninë e varrimit të tij. Kjo ndodhi jepet në versione të ndryshme, por ajo që dihet është se varrimi i tij nuk është bërë në praninë e imamit.

Ramë Vuthit, hakmarrësit, i kanë lënë një letër në ballë, në të cilën thuhet: “Ju, imamë e haxhi, këtë njeri në dhe mos me e shti! Se, kush e shti në dhe këtë njeri, e paguan me kokën e tij!”.

Shumë këngë u kënduan për Selman Kadrinë
Se Selman Kadria, vërtet, ishte trim i kohës, tregon më së miri edhe melosi folklorik e ai popullor. Gati nuk ka asnjë shqiptar në botë që nuk e njeh kontributin legjendar të patriotit Selman Kadria, pushka e të cilit kumboi me dhjetëra vjet, duke e lënë jehonën e saj legjendare në kujtimet tona të paharruara, duke u shndërruar edhe në një mit të vërtetë, i cili qëndron thellësisht në zemrat tona.

Këngë kushtuar Selman Kadrisë i këndojnë shumë këngëtarë në dasma e ahengje të tjera festive, e cila shërben për ta ngritur ndjenjën atdhetare të popullit tonë nëpër çaste të ndryshme të jetës dhe historisë sonë të përgjithshme.

Këngë kushtuar Selman Kadrisë këndoheshin dhe këndohen edhe sot në odat tona tradicionale, të cilat dikur shërbenin si i vetmi Universitet, siç shprehet akademiku ynë Mark Krasniqi, në një studim të tij. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË