Kam dëgjuar se kudo në botë hidhen foshnjat, por se ndodh një gjë e tillë edhe te ne, nuk do kisha besuar dot, shkruan “Kosovarja”.

Ishte mbrëmje dhe unë qëndroja në shtëpi, duke shikuar nëpër dritare njerëzit që kalonin afër shtëpisë sime.

Errësira veç sa kishte rënë. Jo larg shtëpisë sime u ndalë një veturë. Mendova se është ndonjë mysafir. Pas pak pash atë që kurrë nuk do doja ta shihja: nga vetura doli një femër me një çantë në dorë dhe iu afrua kontejnerit. E la çantën afër tij dhe u kthye shpejt e shpejt në veturë…

Pas pothuajse një a dy minutash aty pari kaloi një femër. Ajo pasi kaloi kontejnerin u kthye prapa dhe iu afrua çantës. E hapi çantën dhe dëgjova ulërimën e saj, shkruan “Kosovarja”.

Pasi e shikoi paksa më gjatë, shpejt e shpejt rreth saj u tubuan njerëz të tjerë dhe shikonin me habi. Nuk gjeta rahati shpirtërore dhe dola në rrugë. Kur iu afrova turmës pash se në çantë ndodhej një foshnje.
Njëra nga femrat e moshuara e mori çantën dhe, siç tha ajo, do e dërgojë në spitalin e fëmijëve.

Thënë të drejtën, isha krejt e humbur dhe nuk di se si nuk më ra të fikët. Asnjëherë nuk kisha parë ngjarje të tillë dhe i tërë trupi më dridhej.

U trishtua edhe nëna kur i tregova se ç’pash…
Njerëzit u shpërndanë, e unë u ktheva në shtëpi. I tregova nënës fill e për pe se ç’kisha parë me sytë e mi. Iu mbushën sytë lot dhe tundi kokën në shenjë trishtimi.

Të nesërmen u tregova shoqeve të mia dhe, pas shumë e shumë fjalësh që bëmë, iu betuam njëra-tjetrës se në asnjë rrethanë, pavarësisht situatës, nuk do të vepronim si ajo që e la foshnjën te kontejneri dhe vetë iku në drejtim të panjohur.

Si ta përmbyll këtë shkrim?
Paramendoni se sa raste të tilla ka edhe në qytete të tjera të Kosovës! Jam e sigurt se ky nuk është as rasti i parë e as i fundit…

Kam dëgjuar se vajzat e reja, në pamundësi që t’i çojnë foshnjat në shtëpi, i lënë në spital, por nuk më ka rënë të dëgjoj se ato i hedhin në rrugë…

E, këtë e pash, para pak ditësh, me sytë e mi…
E tmerrshme, a? Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË