Katër persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri sot rreth orës 02:00, në rrugën “Rinia” në Prishtinë.

Pas këtij rasti personat e plagosur janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ku po vazhdojnë tretmanin.

Mjeku kujdestar, Ejup Govori ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile dhe të njëjtit janë dërguar në Klinikën e Ortopedisë.

Në anën tjetër policia lidhur me këtë rast ka identifikuar personat e dyshuar dhe është në kërkim të tyre.

Siç mëson Gazeta Insajderi, Astrit Mehmeti, i njohur me nofkën “Llepota”, ka hapur zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit të natës që ndodhet në qendër të Prishtinës, teksa ka qenë i shoqëruar nga Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.

Të dy shoqëruesit e tij, po ashtu, kanë qenë të armatosur.

Siç dëshmon një video ekskluzive e siguruar nga Insajderi, grupi i Astrit Mehmetit dhe rojet e sigurimit të “Duplex” janë gjuajtur me armë zjarri në hyrje të klubit të natës. Brenda disa sekondave janë dëgjuar të krisura armësh, të cilat kanë krijuar panikë tek qytetarët e pranishëm.

Përleshjen me armë mes dy grupeve e ka konfirmuar sot edhe Policia e Kosovës. Në një përgjigje për Insajderin, zyrtari i Policisë për Informim, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se katër persona kanë mbetur të lënduar nga gjuajtjet me armë.

MUND TË JU PËLQEJNË