Kur isha 18 vjeçe njoha dikë, i cili ishte komplet i gabuar për mua! Ajo lidhje zgjati pak muaj dhe ishte një “gabim” i vërtetë, ndoshta më i madhi që kam bërë ndonjëherë, por, shyqyr Zotit, pa pasoja, shkruan “Kosovarja”.

Ishte një gabim që unë kisha nevojë ta bëja për të kuptuar shumë gjëra, që në të ardhmen t’i hapja sytë mirë para se të merrja ndonjë vendim.

Ishte një lidhje adoleshentesh: me ndarje e pajtime. Me ditë që përfundonin me ndarje, me sy të përlotur…

Ndërkohë, më vjen një sms në telefon nga dikush që më kishte parë e më kishte në qejf. Ai shprehte dëshirën t’më takonte. Mirëpo, e injorova, pasi kisha kaluar gjithë natën pa gjumë, sepse më ishte thyer zemra një ditë më parë.

U pajtuam sërish me të dashurin dhe, kështu, vazhduam për nja 3-4 muaj, derisa unë vura gishtin në kokë dhe i dhashë fund një herë e mirë lidhjes sonë… Ishte një çlirim për mua…

Por, pas një viti, personi që ma kishte dërguar vetëm një mesazh, më del përpara…

Më pëlqeu që në shikim të parë, por u tregova indiferente, meqë kisha kujtime të këqija nga lidhja e mëhershme dhe doja të rrija vetëm.

Mirëpo, ca gjëra kur janë të shkruara edhe ndodhin. Ndodhin dhe pikë. Lufto sa të duash – ato janë më të fuqishme se ti…

Kështu, u njohëm, u dashuruam dhe gjithçka erdhi natyrshëm… Ishte gjëja më e lehtë që kam bërë ndonjëherë në jetën time.

Madje, edhe vendimi për t’u fejuar erdhi natyrshëm. Ishte i të dyve dhe ndodhi. Dita kur bëmë një drekë fejese ishte me një mot të përkryer, e ngrohtë… U ndjeva e bekuar atë ditë…

E tash, edhe pse kanë kaluar 6 vjet nga ajo ditë, jemi të lumtur si në ditën e parë… R. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË