Vetëm një shtet e ka njohur mëvetësinë e Kosovës në vitin 2018.

Ky duket të jetë edhe viti më i dobët në këtë aspekt në një dekadë shtetësi, kjo për faktin se në të kaluarën minimumi në vit kanë qenë dy njohje, por kurrë një.

Megjithatë, kësisoj mund të llogaritej edhe si sukses po të mos kishte tërheqje të njohjeve.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka mohuar në vazhdimësi se shtete të ndryshme po e çnjohin vendin tonë.

Sipas të drejtës ndërkombëtare shtete të ndryshme mund të marrin vendimin si për ta njohur ashtu edhe për ta tërhequr njohjen e një vendi.

Këtë e konfirmojnë diplomatë kosovarë. Ish ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari ka thënë për klankosova.tv se edhe njëra edhe tjetra janë akte politike.

“Njohja dhe tërheqja e njohjes janë akte politike. Secili shtet është sovran për të vendosur në lidhje me marrëdhëniet e tij me shtetin tjetër. Nuk ka mekanizëm që mund ta detyrojë një shtet, se si të sillet me shtetin tjetër, në lidhje me njohjen ose tërheqjen e njohjes”.

“Kuadri politik i Ministrisë sonë të Jashtme, duke mos e kuptuar kontekstin politik, u mundua që të shmangte dëmin duke deklaruar se “nuk mund të ketë tërheqje njohjesh.” Vetëm kohët e fundit e ka kuptuar se një gjë e tillë nuk mbulohet”, ka Kiçmari.

Për të tërheqjet e njohjeve kanë ardhur si pasojë e vendosjes në defansivë totale nga Ministria e Jashtme që ka shtyrë Serbinë të sulet në ofensivë.

“Për faktin se në fillim të vitit Ministria e Jashtme e shpalli publikisht tërheqjen e nëntë ambasadorëve nga detyra në vendetë ndryshme të globit, Serbia e shfrytëzoi vakuumin e krijuar për të forcuar lobimin për tërheqjen e njohjes. Udhëheqësit e politikës së jashtme nuk ndërmorën veprime të shpejta, që vendet vakante të mbuloheshin shpejt me kuadro. Ata nuk e analizuan me kujdes, se një tërheqje e tillë masive e kuadrit profesionist nga zona me interes strategjik, mund të lë vakum serioz. Kjo u reflektua edhe në rezultatet e votimit në Interpol”.

“Vitin e fundit Serbia ka shfrytëzuar hapësirën, që e ka krijuar politika jonë e jashtme, duke shfrytëzuar edhe mjete jokonvencionale. Janë tri momente që kanë ndikuar seriozisht në këtë gjë: bisedimet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, mangësitë serioze drejtuese të politikës sonë të jashtme dhe tërheqja e nëntë ambasadorëve në të njëjtën kohë”.

Janë mbi dhjetë shtete si Burundi, Lesotho, Suriname, Guinea Bissau, Ishujt Komore, Ishujt Solomon, Grenada, Liberia që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë të kenë tërhequr njohjen ndaj Kosovës.

Kiçmari ka treguar se pse cak i diplomacisë serbe kanë qenë vende si këto që janë shumë të vogla e të varfra.

“Natyrisht Serbia nuk mund të ketë sukses në vendet e afërta në Evropë, të cilat janë të njohura me zhvillimet në Kosovë, por Serbia ka piketuar vende të varfra, të cilat kanë nevoja për ndihma në armatim, arsim ose financa. Janë raste konkrete kur janë përdorur edhe mjete korrupsioni nga ana e Serbisë”.

Duket se edhe idetë si korrigjimi i kufirit me Serbinë, shkëmbimi i territoreve dhe të ngjashme kanë bërë që vendet e ndryshme në botë ta rishikojnë pozicionin karshi Kosovës, për çka Kiçmari ka vërejtjet por edhe idenë se si mund të tejkalohen.

“Deklarimet publike në lidhje me raportet me Serbinë, në lidhje me kufijtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duhet të studiohen, analizohen dhe peshohen mirë. Një gjë e tillë, për fat të keq nuk ka ndodhur”.

“Skandalet e shtatorit të këtij viti në New York, gjatë kohës së mbahej Asambleja e Përgjithshme e OKB, e kanë dëmtuar seriozisht kulturën tonë përfaqësuese. Politika jonë e jashtme duhet të kthehet tek sjellja racionale, e kujdesshme dhe e peshuar. MPJ duhet të organizojë takime, vizita pune e zyrtare, samite me vendet e piketuara nga Serbia dhe të shpjegojë kontekstin politik të bisedimeve në Bruksel dhe t’i informojë për zhvillimet në shtetin tonë”.

Ai thekson se ka nevojë për ndryshime imanente në politikën e jashtme kosovare, ku tërthorazi kërkon edhe ndërrimin e kryediplomatit, Behgjet Pacolli.

“Janë të domosdoshme ndryshime konkrete në kuadrin drejtues politik të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës. Politika jonë e jashtme duhet t’ju kthehet vlerave të saj kombëtare dhe parimit të legjitimitetit demokratik: të udhëhiqet nga kuadri me orientim perëndimor, profesional, që nuk e kupton politikën e jashtme dhe diplomacinë si biznes. Biznesi dhe diplomacia janë dy botë të ndryshme, shumë të dallueshme. Ambasadorët e karrierës duhet të mbulojnë kuotën mbi 50%, ashtu si e parasheh ligji. Dhe, strategjia e politikës së jashtme duhet rishikuar: në vend të sjelljes reaktive, kundër akteve agresive të Serbisë, politika jonë e jashtme duhet të sillet në mënyrë aktive, me strategji konkrete për shtimin e numrit të njohjeve”.

Por një tjetër ish-ambasador i Kosovës, ka thënë për klankosova.tv se viti 2018 ka qenë ndër më të rëndit për diplomacinë e vendit.

“Pikësëpari për shkak të qëndrimeve pro dhe kundër ndarjes së Kosovës në mes Presidentit e Qeverisë, gjë që ka projektuar konfuzion dhe paralizim në formulimin dhe zbatimin e politikës së jashtme, në vend të shtyrjes së agjendave në shërbim të interesave të Kosovës në kryeqytetet ku gjenden përfaqësitë e saja diplomatike”, ka thënë Lulzim Peci – ish ambasador në Suedi.

“Së dyti, çnjohjet e Kosovës nga disa vende të koincidojnë me hapjen e temës për ndarjen/korrigjimin e kufirit me Serbinë, i kanë shkaktuar një dëm të madh legjitimitetit ndërkombëtarë të vendit tonë, duke e projektuar pavarësinë e tij në raport me Serbinë në skenën ndërkombëtare, dhe atë së paku në aspektin simbolik, si një çështje reversibile”.

“Së treti, kemi pësuar fiasko në përpjekjet e tona për anëtarësim në INTERPOL dhe nuk kemi arritur të sigurojmë njohje. Pra, ky vit ka vulosur trendin negativ të diplomacisë kosovare.

Fushatën për të zvogëluar numrin e njohjeve, sipas Pecit, Serbia e ka ndërmarrë me ndihmën e Moskës – sukses të cilin nuk do të mund ta arrinte si e vetme.

Por pse në cak të Serbisë janë këto vende të varfra dhe të vogla?

“Këto vende janë kryesisht të dobëta dhe fragjile, të cilat njëkohësisht nuk kanë marrëdhënie intensive me aleatët e Kosovës, dhe si të tilla, për ndihma shumë të vogla apo për shkak të ndikimit të Rusisë, ato mund të ndërrojnë qëndrimet e tyre. Poashtu, edhe diplomacia e Kosovës, nuk i ka kultivuar marrëdhëniet bilaterale me këto vende, të cilat të shprehura në mënyrë simbolike janë sikur “lulja në saksi”, të cilën nëse nuk e ujitë ajo mund të thahet”.

Por institucionet e Kosovës kanë bërë edhe një gabim më të madh, thekson ish ambasadori kosovar.

“Gabimin më të madh e kanë bërë me mohimin e çnjohjeve dhe me mashtrimin e opinionit publik në lidhje me këtë çështje. Ne mund t’i qesim hi në sy opinionit publik vendor, por nuk mund t’i gënjejmë miqtë tanë dhe vendet serioze, pasi ata i posedojnë këto informata. Me mospranimin e faktit të çnjohjeve, diplomacisë tonë i është dhënë një dimension diletantesk në ushtrimin e funksioneve të saja dhe humbje të kredibilitetit të saj, gjë që edhe rrezikon interesat e vendit tonë”.

Tërheqjet e njohjeve zanafillën e kanë në hapeje temave të cilat e kanë kontestuar shtetësinë e vendit tonë – njërën prej të cilave e ka hapur i pari i vendit, Hashim Thaçi.

“Hapja e temës së ndërrimit të territoreve me Serbinë ka koinciduar me çnjohjet, gjë që nuk është ngjarje e rastit. Padyshim, hapja e kësaj teme është dëmi më i madh që i është shkaktuar legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës, pasi i kemi pruar në pikëpyetje njërin ndër elementet ekzistenciale të shtetësisë dhe sovranitetit – kufijtë shtetëror”.

MUND TË JU PËLQEJNË