Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ani pse ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, ka vazhduar që të mbajë takime në zyret e qeverisë, dhe të mbajë mbledhje të qeverisë.

Gjatë ditës, ai është takuar me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili dje pohoi se është larguar nga Aleanca Kosova e Re, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.

Haradinaj ka thënë se me Bahtirin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe të arriturat e Komunës së Mitrovicës.

Kjo mund të jetë një shenjë e kalimit të Agim Bahtirit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Prita në takim Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, me të cilin folëm për zhvillimet e fundit politike në vend, të arriturat qeverisëse në Komunën e Mitrovicës dhe bashkëpunimin me nivelin qëndror. Mitrovica është ndër qytetet me rëndësi ekonomike e gjeografike dhe e fokusuar në mundësitë e shumta që ofron Trepça, tashmë pasi që është funksionalizuar dhe i është dhënë fuqia e plotë si aseti kryesor i Kosovës.”. shkruan Haradinaj.

MUND TË JU PËLQEJNË