E kam të vështirë t’i përshtatem kësaj kohe. Disi më duket sikur ka çrregullim mental kolektiv.

Së pari, më kanë zhgënjyer shokët dhe miqtë e mi, madje ata të fëmijërisë dhe të rinisë dhe miqtë familjarë, shokët që kemi punuar, jetuar si vëllezër shumë vjet.

Siç thonë, të mirën dhe të keqen e kemi ndarë gjithmonë bashkë. Thuajse ka ndodhur një hokus-pokus dhe ka ndryshuar çdo gjë.

Njerëzit i ka kapluar një ankth, një tërbim, duan të të hanë për së gjalli, të rrejnë, të mashtrojnë, ta fusin ndërskamcën në mënyrë irracionale pa pasur kurrfarë fitimi, vetëm nga smira, nga dëshira për ta bërë një të keqe. E kanë humbur arsyen.

“Kuku, medet, ç’kohë pritëm, jetojmë!”, fjalë këto të një burri të dëshpëruar, të zhgënjyer në të sotmen, nga e cila dëshiron të ikë, qoftë edhe nga Kosova për të cilën dha shumëçka.

La luksin në Gjermani, la gjymtyrën për lirinë e Kosovës. Troket me paterica nëpër dyert e institucioneve që nuk i dalin në ndihmë…

*
Jo qëllimisht shfletoj librin e shkrimtarit hungarez Imre Kertesz dhe ndalem në faqen që, pastaj, jo rastësisht t’i shënoj këto fjali:

“A keni vërejtur se në këtë shekull gjithçka po bëhet më e vërtetë, se po zbulohet vetja e së vërtetës?

Ushtari bëhet vrasës profesionist, politikani kriminel, kapitali bëhet ndërmarrje për eliminimin e njerëzve, ligji bëhet rregull për pazare, liria botërore bëhet burg popujsh”.

*
Pritëm shumë e vuajtëm shumë. Kjo pritje po vazhdon edhe sot – po vuajmë, po presim…

Për çka?
Për gjithçka që quhet jetë.
Jetë aso, çfarë i duhet njeriut sot…
Jo jetë sa për një kafshatë buke.

Po këto pallate, që ndërtohen dhe ngrihen përditë si kërpudhat, ç’janë?
Ato s’janë tonat – që e kemi emrin popull.

Po, të kujt?
Të atyre që s’di prej nga, si e kah i bërën e i bëjnë gjithë ato para e pasuri.
Unë s’po muj t’i ngopë fëmijët, e lëre më diç më shumë!

Këto pallate janë të atyre që dje ishin në pozitën time që jam sot. S’kishin gjë përpara shpirtit. Po ja që paslufta i bëri të pasur: me pallate, biznese, xhipa të zi…

Po, ka pas thënë Mjeda: “Bilbil, ky shekull or e çast ndërrohet; bien të mëdhenjtë të vegjlit çohen!”.

Ky shekull po ndërron, por di një gjë: i vogël isha e i varfër isha. Kështu isha para lufte, kështu vazhdoj të jem edhe pas lufte.

Po, mirë e bën Zoti!Thënie e mirë kjo.
Presim… Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË