Një projekt i BE-së, i publikuar para pak ditësh në media, pasqyron financimin e mbi 6 milionë eurove, për kthimin e serbëve në Kosovë! Paratë do t’i jepen Serbisë, për, siç thuhet, “kthimin e serbëve në Kosovë”, shkruan “Kosovarja”.

BE-ja, në vend se ta qortojë Beogradin zyrtar për praninë e strukturave ilegale dhe të MUP-it serb në Kosovë, konkretisht në veriun e shtetit të Kosovës, përkundrazi, jep para për ta rikolonizuar Kosovën!

Në veriu të Kosovës ka vite që ndërtohen objekte kolektive, për, siç thuhet, ndërtimin e vendbanimeve për serbët e ish-Krainës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, që kanë mbetur pa strehim gjatë luftimeve nga viti 1992-1995, në hapësirat e ish- Jugosllavisë.

Do të ishte korrekte sikur BE-ja të investonte në ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në veriun e Kosovës, shtëpitë e të cilëve janë djegur në vitin 1999 dhe shqiptarët atje s’kanë ku të kthehen.

Por, edhe në rastet kur individë të caktuar kanë bërë përpjekje t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre, serbët e veriut, me strukturat e MUP-it nga Beogradi, kanë penguar ndërtimin e shtëpive të pronarëve shqiptarë andej lumit Ibër!

Kujt, pra, po i shërbejnë projektet financiare që i dhurohen Serbisë?

Shkurt e shqip, po i shërbejnë rikolonizimit të Kosovës, dukuri që është përdorur pas Luftës së Dytë Botërore, kur serbët që kishin prerë myslimanë në Bosnjë e Hercegovinë, për t’i humbur gjurmët, janë transferuar në Kosovë nga Beogradi!

Tani, e që Serbia e ka humbur ish-territorin e Kninit, pra Krainën, por edhe disa vende në Bosnjë e Hercegovinë, kur edhe janë bërë hartat e reja gjeografike në Konferencën e Dejtonit, ajo i mbante në Vojvodinë serbët e këtyre territoreve, kurse tash po i riatdheson në Kosovë!

Por, Qeveria e Kosovës, si duket, s’ka kohë të merret me këtë problem, meqë ajo më shumë po merret me vetveten, duke u munduar kush kë ta punësojë sa më parë…

E, Serbia, dalëngadalë dhe pa u ngutur fare po i realizon qëllimet e veta! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË