Axha i vëllezërve nga Livoçi i Gjilanit, Ramadan Abazi, është shprehur shumë i indinjuar me raportimet se të dy djemtë e kësaj familje janë gjetur të vdekur në gërmadhat e hotelit ku po qëndronin në Durrës i cili u shemb pas tërmetit të fuqishëm.

Ai ka thënë për Klan Kosovën se nga familjarët e tyre që janë në Durrës e kanë marrë informatën se është gjetur vetëm trupi i pajetë i 27 vjeçarit Isa Abazi.

“Informatat janë qysh prej mëngjesit që kanë qenë në atë hotel. Informatën e fundit e kemi marrë që ka vdekur 27 vjeçari diku ka ora 15:30”.

“Jemi lodhë me informata të rrejshme që kanë thënë se kanë vdekur të dytë. Njerëzit tanë na kanë informuar vetëm për njërin [Isa Abazi]. Shemsedin Abazi nuk është gjetur fare”.

Axha i dy vëllezërve kosovarë që u bënë viktima të tërmetit në Shqipëri ka treguar se ata kishin shkuar atje për të punuar.

“Për punë, për idare. Janë marrë me disa pjesë të kerreve”.

Ramadan Abazi ka treguar se si e ka pritur familja këtë lajm tragjik.

“Si familje e kemi pritur tepër rëndë, vetëm Zoti që na ka sprovuar se më rëndë nuk e di qysh mundet me qenë tjetër. Por, çka do që vjen prej Zotit mirëseardhtë”.

MUND TË JU PËLQEJNË