Mijëra qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të strehuar në Kosovë pas tërmetit po rikthen në Shqipëri përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës. Ata shprehen se shkak i kthimit ka të bëje me punën dhe vlerësimin e dëmeve në banesat e tyre, por edhe se e kanë hequr pak frikën që i kapi.

“Po kthehemi tani e inshallah ka mbarur pak. E kemi heq pak frikën, por prapë frikë është. Po kthehemi se edhe prej merakut. Dy ditë qëndruam. Do shohim gjendjen. Po ashtu do kthehemi prapë. Nuk dimë as vetë çfarë me tregu. Janë fatkeqësi të Zotit. Po kthehemi sepse duhet me pa gjendjen. Vajzën e kam në punë dhe duhet që nesër të paraqitet në punë. Tërmeti vazhdon pambarimisht”.

Në pikën e kalimit kufitar të Morinës ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, i cili tha se pas 26 nëntorit në Kosovë kanë hyrë 17 mijë e 500 qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti.

“Në Kosovë kanë ardhur tre kategori qytetarësh. Një pjesë i janë drejtuar qendrave mikpritëse. Një pjesë tek të afërmit, Ndërsa një pjesë kanë ardhur vetë këtu dhe janë strehuar në hotele. Kanë hyrë 17 mijë e 500 qytetarë. Një pjesë e tyre janë kthyer përsëri‘ tha ai. Vetëm të premten dhe të shtunën janë kthyer në Shqipëri 7800 qytetarë të zonave të Durrësit,Thumanës dhe Tiranës.

Fluksi i kthimit po vijon këtë të diel jo vetëm nga jashtë vendit, por edhe brenda. Pasi shumë qytetarë të Tiranës dhe Durrësit që u larguan në drejtim të juglindjes po kthehen në shtëpitë e tyre.

Report Tv sjell pamjet nga radhët e gjata të automjeteve në Elbasan, të kthimit të qytetarëve nga Korça dhe Pogradeci. Po ashtu e njëjta situatë është edhe për ata që kthehen nga veriu dhe verilindja, pasi është krijuar radhë e gjatë në Mamurras dhe Thumanë duke sjellë bllokimin e autostradës.

Tërmeti që ra mëngjesin e së martës, por edhe pushimet e festave të nëntorit bënë që një pjesë e qytetarëve të zhvendosen jashtë kryeqytetit dhe Durrësit, por nesër fillon java duke bërë që të rikthehen.

MUND TË JU PËLQEJNË