Më 23 janar të këtij viti, ndërroi jetë Fetije Muja, gruaja që rriti 8 jetimë, pasi regjimi i Serbisë e dënoi me vrasje burrin e saj, Ferat Mujën, shkruan “Kosovarja”.

Serbia kishte ndërmarrë një fushat të egër arrestimesh dhe dënimesh me burgje politike për mijëra shqiptarë të Kosovës për shkak të demonstratave të vitit 1981.

Dhe, në kuadër të kësaj fushate, kishte ndodhur diçka e pazakonshme në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë!

Ferat Muja, burrë i pensionuar nga “Trepça”, derisa po kalonte një rruge këmbësore pranë shtëpisë së një serbi, sulmohet nga ai.

Sulmuesi ishte Danillo Milinçiç (Daça), 22-vjeçar, nga Samadrexha e Vushtrrisë.

Daça ia kishte sharë nënën shqiptare Feratit, që po kalonte aty pari, me djalin Xhaferin dhe nipin Safetin, duke i thënë se më nuk ka këtu kalim për shqiptarët dhe e kishte sulmuar me shati në kokë Feratin.

Dhe, Ferati, në vetëmbrojtje, e kishte vrarë Daçën në vitin 1982.

Por, propaganda e Beogradit shkoi aq larg, sa Nikolla Lubiçiçi, e shtyu procesin gjyqësor deri te dënimi me pushkatim i Ferat Mujës!

Këtë vendim e propozoi prokurori proserb, Kapllan Baruti, që aktualisht jeton në veri të Kosovës.

Bashkëshortja, tani e ndjerë e Ferat Mujës, Fetije Muja, që ndërroi jetë ditë më parë, ishte e ftuara e vetme me kërkesën e Ferat Mujës në burgun e Mitrovicës Veriore, që ta merrte amanetin e burrit, e që do të pushkatohej disa ditë më vonë, në një proces ku avokat i tij ishte Bajram Kelmendi.

“Mua do t’më pushkatojnë! U qua në këmbë tërë Serbia me ma marrë jetën! Nuk po më dhimbset vetja, por janë fëmija shumë të vegjël dhe ty të mbetën amanet me i rritë pa mua!

Këto gjëra që janë këtu, nga veshmbathja që kam, do t’i marrsh, sepse mua nuk më duhen.

Amanet: Rritmi fëmijët!”, ishin fjalët e tij të fundit, në takimin që pati ai me Fetijen.

Ferat Muja, sipas të dhënave të avokatit tashmë të ndjerë, Bajram Kelmendi, është pushkatuar në Gërmi, pikërisht në vendin ku ka filluar ndërtimi i shtëpisë protokollare të Kuvendit të Kosovës.

Familja Muja, së bashku me gruan e Feratit, Fetije Mujën, ishin bërë cak i sulmeve të tmerrshme të regjimit të Serbisë, duke e izoluar deri me largimin e Serbisë nga Kosova.

Dhe, Fetije Muja, krahas vështirësive të shumta, e ka quar në vend amanetin e burrit, duke i rritur fëmijët me kujdesin më të madh.

Ajo vdiq para pak ditësh, në moshën 75-vjeçare, në Mitrovicë. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË