Kur i biri i Ferat Mujës së pushkatuar, 35 vjet më parë, futi duart nën dushk të Gërmisë, që ta kërkonte varrin e babait të cilit ia kërkon varrin qe tri dekada e gjysmë, tha: “A mu duk a pati krisma?!”, shkruan “Kosovarja”.

Në fakt, nuk kishte asnjë krismë, por ishte te vendi ku pushteti komunist ia pushkatoi babanë, pas një gjykimi maratonik, në të cilin kishin dorë Nikolla Lubiçiçi dhe Kolë Shiroka, me Kapllan Barutin prokuror dhe Ismet Emrën gjyqtar. Ata ia shqiptojnë vendimin me pushkatim!

I biri i Ferat Mujës, pas 35 vjetësh, në Gërmi sikur i dëgjoi krismat në vendin ku iu pushkatua babai. Kjo bëri që të ndihem rëndë në ato çaste, të mërkurën më 3 prill. Dhe, këtë ditë me të drejtë e quajta dita e dhembjes, shkruan “Kosovarja”.

Asllan Muja është djali i dytë i Ferat Mujës, me prejardhje nga Bajgora e Mitrovicës. Ata ishin shpërngulur në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë prej vitesh.

Ferat Muja ishte pensionuar si minator i “Trepçës” dhe shkonte në Vushtrri ta merrte pensionin. Ishte viti 1982. Me vete kishte djalin, Xhaferin, si dhe nipin, Safet Sinanin.

Në kalim pranë shtëpisë së Miliçiçëve, i sulet Danillo Miliçiçi, 22 vjeç, me shati në dorë!

Ferati ecte rrugës këmbësore që nuk ishte ndalur kurrë, por Danillo, e që ishte mbushur urrejtje nga demonstratat e vitit 1981, e godet Ferat Mujën me shati dhe, duke qenë sportist hendbolli, e zë Feratin për fundi dhe pas një 10 minutash luftë dhe kacafytjeje, Ferat Muja nxjerr revolen dhe e lë të vdekur afër shtëpisë.

Ishte kjo një shtëpi në të cilën kishte shkuar sa e sa herë Rankoviqi famëkeq, duke i motivuar me ndjenjë antishqiptare.

Për Danillon, që shkurt njihej si “Daqa”, viti 1982 do të ishte viti i fundit i jetës, ndërsa për Feratin që kishte shtënë në vetëmbrojtje do të ishte viti i fillimit të mundimeve dhe që pas dy vitesh do të sillte pushkatimin.

Rasti do të politizohej aq shumë sa niveli më i lartë ushtarak i ish-Jugosllavisë, Nikolla Lubiçiç, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Qendror të LKJ-së, së bashku me Kolë Shirokën, të kërkonin zyrtarisht dënim me vdekje për Ferat Mujën.

Ferat Muja e kishte vuajtur dënimin me burg deri në verdiktin gjyqësor me vdekje, të cilin e kishte shqiptuar gjyqtari Ismet Emra, pasi prokurori Kapllan Baruti kishte kërkuar dënim me vdekje për Ferat Mujën.

Mbrojtjen e Ferat Mujës e kishte bërë avokati guximtar dhe i zoti, Bajram Kelmendi, i cili kishte konfirmuar sa e sa herë se i kishin hyrë në hak Ferat Mujës, që nuk kishte mundur ta mbronte nga dënimi me vdekje dhe për këtë rast Bajram Kelmendi, sipas shënimeve në librin e sapo botuar të autores Valbona Mehmeti, avokati i vrarë nga forcat serbe në vitin 1999, kishte thënë se “Rasti i Ferat Mujës është një rast i dështimit të drejtësisë kosovare!”.

Rasti i Ferat Mujës është rasti më i rëndë në ish- Jugosllavi, të cilin avokati Fila Filota, nga Beogradi, nuk e kishte marrë në mbrojtje, duke e ditur se ishte gjithçka punë e kryer, pasi politika i diktonte gjërat.

Dy vjet më vonë, Ferat Muja ishte nxjerrë në pushkatim. Sipas ligjit të ish-Jugosllavisë së asaj kohe, pushkatimin e ekzekutonte skuadra e përbërë prej 11 policësh, te i cili çdo i dyti e kishte në pushkë plumbin e vërtetë, ndërsa të tjerët kishin plumba manovrues.

Si pjesë e ekipit në pushkatim, merrnin pjesë, sipas përkatësisë fetare hoxha a prifti, drejtori i burgut, gjyqtari, prokurori, avokati dhe mjeku që do ta konstatonte vdekjen e sigurt të të pushkatuarit dhe eshtrat e të pushkatuarit nuk do t’i dorëzoheshin familjes për 20 vjet.

Familja e Ferat Mujës mendonte se ai ishte pushkatuar në varrezat afër burgut të Mitrovicës dhe atje në varreza, 35 vjet pas vrasjes, kishte hulumtuar për ndonjë shenjë që mund të qonte në gjetjen e varrit të Ferat Mujës, por asnjë shenjë nuk ishte gjetur.

Pas shpalosjes së letrave të avokatit Bajram Kelmendi nga mbrojta e Ferat Mujës, doli këto ditë që i dënuari me vdekje, Ferat Muja, ishte pushkatuar në Gërmi të Prishtinës, mu aty ku sot ndodhet e ashtuquajtura “Shtëpia Protokolare e Parlamentit të Kosovës”, e që një pjesë ishte kryer me beton në mandatin e akademik Nexhat Dacit, e që ishte në krye të Kuvendit të Kosovës.

Pra, fakte të reja për familjen e Ferat Mujës, që, më në fund, t’i ndihmojnë organet shtetërore të gjenden eshtrat e kryefamiljarit të tyre, i cili u pushkatua institucionalisht, edhe pse ai veprën e bë në vetëmbrojtje të plotë, duke pasur, madje, edhe barkun e prerë nga shati i Danillo Miliçiçit (Daçës), por që nuk vlejti në gjykatë për ta shmangur dënimin me pushkatim.

Dhe, menjëherë pas publikimit të fakteve se Ferat Muja ishte pushkatuar në Gërmi, Asllan Muja, djali i dytë i Ferat Mujës, më kërkoi ta vizitonim lokacionin e pushkatimit të babait të tij.

Lugina e Gërmisë është betonuar në një shtëpi që është lënë të shkatërrohej qe 15 vjet. Aty, diku, është pushkatuar Ferat Muja, një minator i pensionuar përmes ligjit invalidor. Ishte korrekt në jetë dhe burrë që rridhte nga familja e Ukshin Kovaçicës, familje me tradita shqiptare, që nuk e duronte nënçmimin e as poshtërimin.

Lugina e Gërmisë, me gjithë atë beton të vënë, e duke mos u vënë kurrë në funksion të një shtëpie ndihmëse të Parlamentit të Kosovës, të kujton po atë kohë të mungesës së drejtësisë në Kosovë.

Ferat Muja dhe kjo shtëpi e mbuluar nga pluhuri i harresës dhe hedhurinat, janë dëshmi e padrejtësisë në këtë shtet.

Djemtë e Ferat Mujës kanë trokitur derë më derë në organet e shtetit të Kosovës e kurrë askush nuk i ka ndihmuar ta gjejnë varrin dhe eshtrat e babait të tyre.

Djemtë e Ferat Mujës edhe tash i kërkojnë eshtrat e babait të tyre. Dosja e Ferat Mujës është zhdukur nga Arkivi i Kosovës! Ajo nuk është as në Arkivin e Mitrovicës, ku janë transportuar dokumentet me kamionë në arkivin e qytetit pranë Ibrit.

Të kthehem te titulli i këtij shkrimi: Dita e dhembjes! Ishte një beton në formë katrori disa metra larg shtëpisë protokolare dhe jepte një shenjë se aty do të kishte diçka të pazakontë.

Pash të birin e Ferat Mujës, Asllanin, si i futi duart nën dushkun e tharë mbi baltë! Pash kah i fuste duart në bërllokun e shtëpisë protokolare të Gërmisë, për të zbuluar gjë për babanë e vet, pas 35 vitesh të pushkatimit të tij.

Asllan Muja ishte fëmijë kur i ishte pushkatuar babai i tij, Ferat Muja. E, ai sot është burrë dhe gjithë këto vite malli dhe padrejtësie shtetërore, e kanë bërë të vuajtur atë dhe gjithë familjen e tij që është persekutuar pamëshirshëm nga UDB-a jugosllave.

Ka jetuar si familje e izoluar e gjithë familja e Ferat Mujës, e cila tash e ka brezin e tretë të fuqisë familjare.

Shteti duhet ta ndihmojë që të gjenden eshtrat e Ferat Mujës dhe, meqë ishte pushkatuar mu te kjo shtëpi e sinonimit të drejtësisë, do të ishte shumë njerëzore dhe normale që në oborrin e saj të ngrihej një përmendore përkujtimore me emrin Ferat Muja.

Nëse kjo shtëpi bëhet ajo që ishte menduar dikur, do të kishte shumë kuptim dhe logjikë që, duke jetuar mbi njëra-tjetrën, të jetojnë së bashku, duke pasur emrat e vendosur aty, si të lëna në harresën e institucioneve. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË