Njëzet vjet më parë lajmi për bombardimet e NATO-s pushtoi mbarë botën. Një kapitull i ri në historinë e Kosovës më të re, në historinë e NATO-s.

Kudo, kah do, gjithçka në ankth, në mëdyshje, tmerr…

Populli i Kosovës përjetoi atë çka edhe kujtimet për ato ditë dhe net – të rrëqethin, të bëjnë të pyesësh veten: “Oh, Zot, a është e mundur të përjetohet e gjithë ajo?!”.

Përjetuam atë çka përjetuan të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, pleq e gra…

Dhe, secili prej tyre e ka rrëfimin e vet, tregimin e vet, që di ta thotë vetëm zemra e tyre.

Të flasim për gjithë ato dhembje, lot, trishtime është tmerr…

Andaj, s’dua ta përshkruaj më tej atë tmerr të atyre ditëve, por as t’i mendoj tutje ato…

Kosova, ditë më parë, pikërisht më 24 mars të këtij moti, kujtoi njëzetvjetorin e bombardimeve. E kujtuam dhe e kremtuam këtë përvjetor.

Me dhembje në zemrat tona çdo ditë po i kujtojmë edhe masakrat që ndodhën anë e mbanë Kosovës, që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s, e deri në çlirimin e Kosovës, më 12 qershor 1999.

Por, habit fakti se as në mediet elektronike dhe as në ato të shkruara nuk hasi kund të përmendet emri i ATIJ, i cili, kur AI kërkoi Protektorat Ndërkombëtar, shumica prej nesh as që e dinim domethënien e atyre fjalëve!

AI ishte dr. Ibrahim Rugova. Kur AI kërkoi pavarësi, sovranitet të Kosovës, ne habiteshim. Habiteshim me fjalët e tij, fjalë të cilat i dolën, u realizuan, u bën realitet…

Thënë shkurt, po e kujtojmë atë periudhë të tmerrshme të historisë sonë, por s’e kujtojmë aq sa duhet dhe sa e meriton Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.

Nuk e kujtojmë as qëndrimin e tij në Prishtinë, në Rezidencën e tij, kur ato ditë qëndroi vetëm me familjen e tij.

Kosova mbeti e boshatisur, pa popull, të cilin e përzuri okupatori serb përtej kufirit.

E, Presidenti i Kosovës mbeti vetëm, pa popullin e tij.

Në Prishtinë, në lagjen e tij, kishte vetëm qen endacakë, ndërsa brenda, në shtëpinë e tij, “qen me uniforma”!

Pse qëndroi AI në Kosovë?

Pse nuk doli jashtë?

S’pati mundësi apo s’deshi vetë?

Sot, të habisin fjalët, deklaratat e liderëve të partive politike, të cilët shtyhen se cili është më prorugovian dhe cili po e ndjekë rrugën dhe filozofinë e Tij!

E, Rugova, a nuk ishte i të gjithëve?! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË