Është një nga këngëtaret me historinë më të veçantë të skenës sonë artistike.

Dhe, po bëhen vite që fitoi zemrat e publikut shqiptar gjithandej, ndonëse ishte në një moshë fare të re, shkruan “Kosovarja”, për të madhen Albërije Hadërgjonaj.

Këngët e saj të shumta, thuajse të gjitha, janë shndërruar në hite, të cilat dhe kemi rastin t’i përcjellim në ekranet tona televizive.

Por, jo pak e çuditshme është se si një këngë e saj, e cila kur u lansua në treg shpejt përvetësoi zemrat e publikut, gjithandej, transmetohet rrallë apo edhe asnjëherë në televizionet tona!

Është kënga kushtuar Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, e cila, njëherësh, vlen të përmendet se është edhe kënga e parë që i kushtohet këtij burri të madh të Dardanisë.

Ja, pra, ç’thotë Albërija për këtë:
“Të them të drejtën, LDK-ja zinte një vend të veçantë për mua në atë kohë. Por, kënga nuk ka ndonjë qasje politike, sepse unë jam artiste dhe politikën e bëjnë ata që dinë ta bëjnë.

Ideja erdhi për arsye se unë e kam dashur Presidentin Rugova, si individ. Dhe, e vlerësoj shumë për punën që ka bërë për Kosovën…

Ai e ka merituar, nuk ka diskutim këtu. Ne duhet të kishim bërë edhe më shumë për të…

Megjithatë, tani, edhe disa kolegë të mi, i kanë kushtuar këngë të mira Dr. Rugovës. Por, jam krenare që e kam bërë e para”.

E di se kjo këngë është mirëpritur nga publiku, thotë Albërija, por ka pasur edhe reagime në qarqe të ndryshme politike…

Në pyetjet: “Pse kjo këngë nuk është transmetuar shumë në televizionet muzikore? Dhe, për inat tuajin apo për përmbajtjen e këngës?”, ajo përgjigjet:

“Për mendimin tim, është gabim që kënga nuk transmetohet më shpesh, bile me rastin e përvjetorëve!

Mendoj se nuk duhen të politizohen gjërat. Mediet duhet të jenë gjithmonë të gatshme për të informuar popullin dhe për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë.

Shumë më kanë pyetur për këtë çështje, por nuk e di. Nuk kam pasur ndonjë keqkuptim me askënd.

Por, ndoshta, duhet të jetë përmbajtja e këngës ajo që i “frikësoi” televizionet tona!

E, se është këngë që ia vlen të dëgjohet, madje, edhe në çdo kohë, por edhe kënduar me ndjenja, siç di ta interpretojë vetëm Albërije Hadërgjonaj, mund ta dëgjoni në vazhdim…

Jepeni edhe Ju vlerësimin tuaj! /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË