Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se në Kosovë ka qëndruar për vizitë dyditore një delegacion nga Gjermania, përkatësisht nga Ministria Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe, ku është diskutuar për çështjen e vizave.

Në komunikatën dërguar mediave, shkruhet se përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Ministrisë Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe kanë zhvilluar një seri takimesh në nivel ekspertësh, për të diskutuar për punën e institucioneve tona, të arriturat dhe përafrimit të proceseve në çështjen e liberalizimit të vizave.

Takimet e 26 dhe 27 nëntorit në Prishtinë, kanë shtjelluar temat dhe aspektet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe menaxhimin e kufijve dhe migrimit.

Ekspertët kosovarë, përfaqësues nga Institucionet e Republikës së Kosovës, si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra e Kryeprokurorit të shtetit, Polica e Kosovës, Agjencia e Regjistrimit Civil, Agjencia Kundër Korrupsionit, kanë prezantuar para delegacionit gjerman, të gjitha procedurat dhe të arriturat e Kosovës, në temat të cilat lidhen me këtë proces.

Delegacioni gjerman ka parë për së afërmi edhe punën dhe sigurinë që ofrohet në prodhimin e dokumenteve identifikuese, teknologjinë, procedurat dhe sigurinë e lartë në gjithë këtë proces.

Bisedat në nivel ekspertësh në Prishtinë janë mbajtur në një atmosferë konstruktive dhe nga pjesëmarrësit janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm për përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Takimet e nëntorit në Prishtinë kanë pasuar pas takimeve që ka zhvilluar delegacioni kosovar në fillim të muajit qershor në Berlin.

“Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Procesi i nisur, bilateral me Gjermaninë po bëhet me qëllim të identifikimit të arriturave dhe punës që Kosova e bënë, veçmas në ofrimin e sigurisë, për temat si menaxhimi i kufijve, migrimi, menaxhimi i Qendrës për prodhimin e dokumentacioneve, Policisë së Kosovës, Prokurorisë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruhet në komunikatë.

Gazeta Express më 22 nëntor ka raportuar se në ditët e fundit të punës së Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, në vend do të qëndrojnë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, të cilët do të takohen me homologët e tyre kosovarë për të diskutuar për vizat. Këtë e patën konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. /Express/

MUND TË JU PËLQEJNË