Më 28 nëntor të këtij viti, në datën që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare, kryeqyteti historik i Kosovës, Prizreni pritet ta ketë edhe Monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Marrëveshja për realizmin e projektit është nënshkruar nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Administratës dhe Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”.

Ky hap vjen pas kërkesës që shoqata i ka bërë Komunës dhe vendimit të nxjerrë kohë më parë nga Asambleja Komunale për vendosjen e Monumentit të Skënderbeut në Prizren.

Në fund të majit apo fillim të qershorit do të vihet edhe gurthemeli i monumentit kombëtar, që do zbulohet më 28 Nëntor 2019.Shtatorja e Skënderbeut, në lartësi 3.3 metrash, me gjerësi prej 1 metër parashihet të vendoset në rreth rrotullimin tek ish-qendra tregtare “Ben-af”, afër stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen Prizren-Gjakova.

Sipas marrëveshjes, financimin e projektit do të bëjë shoqata, ndërsa Komuna do t’i kryej punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit.

“Me vendosjen e këtij Monumenti, Prizreni do t´i lidhë tri nyjat e kryeqendrave shqiptare: Tiranën, Shkupin dhe Prishtinën, të cilat tashmë i kanë Monumentet e tilla.

Pas përfundimit të këtij projekti me sukses, do ta fillojmë fazën e dytë për ndërtimin e një e Muzeu Kombëtar të Mesjetës Shqiptare në Kalanë e Prizrenit”, ka thënë Oroshi.