Kosova dy ditët e fundit është përballur me temperatura të larta të cilat gjatë së martës kanë arritur deri në 37 gradë Celzius.

Si pasojë e vapës së madhe në Klinikën Emergjente të QKUK-së kanë kërkuar ndihmë mjekësore një numër i madh qytetarësh.

Këtë për klankosova.tv e bëri të ditur, Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK.

“Në Klinikën Emergjente brenda 24 orëve kemi pranuar 253 raste që ishin me sëmundje akute dhe kronike. 5 deri në 10 për qind nga ata kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e temperaturave të larta. Kategoria e moshave të shtyra, nënat shtatzëna dhe fëmijët janë më të prekurit nga i nxehti”.

“Simptomat e rasteve që janë të sëmurë nga temperaturat e larta janë se këta persona kanë kokëdhembje, mundim, të vjella, ushtim të veshëve, probleme me frymëmarrje, probleme kardiake, dhe disa raste të veçanta ka edhe humbje të vetëdijes”.

Sipas drejtorit të Qendrës Emergjente në QKUK për shkak të nxehtit nuk është raportuar për asnjë të vdekur gjatë kësaj periudhe kohore.

Lenjani njëherësh i ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar nga ora 11:00 deri 17:00 si dhe të mos ekspozohen në rrezet e diellit.

“Apelojmë që të gjithë qytetarët sidomos ata që janë me sëmundje kronike si :sëmundjet me goditje në tru, epilepsi, të sëmurët me goditje në zemër, me tension të lartë dhe të ulët, sëmundjet metabolike, sëmundjet e veshkave, si dhe personat me sëmundje patologjike nuk duhet të ekspozohen fare në rrezet e diellit nga ora 11:00 deri në 17:00”.

“Gjithashtu edhe qytetarët e tjerë që nuk kanë sëmundje preferohet të qëndrojnë nëpër shtëpi, në ambiente të freskëta, të kenë kondicionerë, të marrin ilaçet e mjekut nëse kanë nevojë, të konsumojnë ushqime që kanë karbohidrate ndërsa, ato që kanë yndyrë të konsumohen më pak, dy litra lëngje në ditë duhet të përdoren”.

Ai për klankosova.tv tha se gratë shtatzëna duhet të dëgjojnë këshillat e gjinekologut, kurse personat me probleme mendore duhet të kenë kujdes të mos dalin në diell.

Lenjani rekomandoi që gjatë kësaj periudhe të vishen rroba me ngjyrë të hapur siç është ajo e bardha pasi absorbohen më lehtë rrezet e diellit si dhe të përdoren kapelat dhe çadrat./klankosova.tv/.

.

MUND TË JU PËLQEJNË