Më duhet të pranoj se ky titull nuk është i imi, por i një burri që e dëgjova teksa pija kafenë e mëngjesit në kafenenë afër Shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, shkruan “Kosovarja”.

Eh, pra, nuk do të kisha dashur të jem lider dhe të më thonë se rrej me vagonë, duke ma hedhur fotografinë në tokë apo duke u bërë pjesë e dokumentarëve e fejtoneve për ndonjë të keqe a korruptim, siç ndodh zakonisht.

Nuk do të doja të jem lider politik edhe për faktin se do të imponohej prapaskenë diskrete historike dhe emotive, si raste kur e ardhmja do të jetë me gojën plot pështymë për ta.

Nuk do të doja të jem lider as për faktin se mund t’i përngjaj Edi Ramës, e që haptazi po ia qet flakën Shqipërisë! Por, as si Sali Berisha, i cili në kohën kur bombardohej Serbia nga NATO, ai e furnizonte me naftë Serbinë!

Do ma tërhiqnin zvarrë shtatoren!
Nuk do të doja të jem lider as për faktin se do ma tërhiqnin zvarrë shtatoren apo posterin, kur njerëzit do i mësonin gjërat e palara!

Mos ua shikoni kravatat e hekurosura! Mendoni pak më larg, në të palarat, kur ndonjë gazetar do e pyet liderin:
“Pse u dhanë 55 milionë euro më shumë për autostradën Prishtinë-Shkup?
E mjaftueshme, pra!

Ose shikoni, për shembull, pallatet e tyre dhe shtrojani vetes pyetjen: Si është e mundur të bëhet ai pallat kur “lideri” kurrë më parë nuk ka punuar?!

“Prit bre dajë!”, i them një lideri të vogël, që ka fituar pak më shumë se një për qind të votave. “Prit të të pyes si je, sepse kaherë nuk jemi parë!”.

“Nuk kam kohë, dajo, se më presin 1001 punë! E, po të mos jem unë aty, ata atje s’e dinë ku e kanë kokën!”, ma ktheu.

“Heu bre!”, them. “Po t’kishe qenë ti në vend të Hashim Thaçit, paske pasur ta bësh Kosovën lule me këtë punë të madhe që po bëjke!”, ia kthej paksa me ironi.
“Hiq mos e merr që jo!”, mu kundërpërgjigj.

Nejse, të mos i bëj më shumë përrallë disa liderë tanë. Unë vetëm desha të them se nuk do të doja të jem i tillë, sepse shumë premtojnë në fushatat zgjedhore, e kurrë nuk i realizojnë premtimet e veta.

Kur lideri i jep kosës haptë!
Merre shembull kryetarin e Prishtinës. Çka bëri ai qe dy mandate që ta ndryshojë gjendjen në Prishtinë? Tollovi para tij, tollovi tash! Ai, nganjëherë, edhe harron se është kryetar i Prishtinës, se i duket se është për poste edhe më të mëdha.

Kur u zgjodh në ekipin për negociata me Serbinë, filloi t’i jep kosës haptë! Mendoi se vetëm ai mund ta zgjidhë problemin me Serbinë.

Dhe, çka ndodhi? Shkoi nja dy herë në Bruksel bashkë me Fatmir Limën, bën fotografi nga atje dhe hiq gjë më shumë… Delegacioni u hodh poshtë nga Kushtetuesja dhe në stilin më rrove t’rrova – brisku i berberit, përfundoi edhe ajo punë.

Spiuni në ballë të demonstratave!
Një burrë në Ferizaj, në vitin 1981, teksa dëgjon një zhurmë të madhe në rrugë, me të shpejt hap kapinxhikun e derës së oborrit, që të shihte se ç’po ndodhte.

Masa e demonstruesve afrohej kah ai. Në ballë të demonstruesve sheh njërin që e njihte mirë, meqë gjithmonë ai ishte në shërbim të shtetit, demek spiun!

“Hej, bre, a paskemi mbetur të na e sjell republikën ky njeri, a? Republikën e tij nuk e dua dhe kurrë mos ardhtë!”, u thotë ai demonstruesve, të cilët as që ia vunë veshin… S. Murturi /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË