Ngrohtësinë që ua jep shtëpia, disa prej kosovarëve kanë filluar ta zëvendësojnë me atë të moteleve. Një pjesë të madhe kohës ata po zgjedhin ta kalojnë duke pushuar në motele.

Madje, disa prej tyre dhanë edhe frymën e fundit aty.

Aktualisht, në gjithë vendin funksionojnë rreth 200 motele. Ofertat e tyre për pushim dhe fjetje fillojnë nga 5 euro e deri në 150 euro, varësisht nga kushtet. Ndërkohë, nga tatimi që paguajnë këto biznese, shteti përfiton mbi 6 milionë euro çdo vit.

Në vend të dhomave të tyre të gjumit, kosovarët po i zgjedhin ato të moteleve. Epshet e tyre ata po preferonjnë që t’i shuajnë larg ambienteve të shtëpisë, pavarësisht shpenzimeve.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë i kanë thënë Gazetës Express se në gjithë vendin janë mbi 400 hotele, motele dhe bujtina të tjera.

Deklarojnë se këto biznese funksionojnë qysh nga koha e para luftës.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri i hoteleve është 201 njësi, numri i dhomave 4.195, ndërsa nr. shtretërve 6.819, kurse numri i moteleve është 179 njësi. Po ashtu, numri i dhomave 2.142, si dhe nr. shtretërve 2.861”, thuhet në përgjigjet e MTI’së.

E sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri më i madh i moteleve gjenden në Ferizaj. Vetëm në këtë qytet operojnë mbi 30 biznese të tilla, pasuar nga Prishtina me 14 motele dhe Prizreni me 12 motele.

Në MTI deklarojnë se mbikëqyrja e njësive akomoduese behet nga inspektoratet kompetente ne nivel qendror dhe lokal, derisa thonë se deri më tani nuk kanë pasur asnjë rast të mbylljes së moteleve.

Ndërkohë, në Administratën Tatimore të Kosovës deklarojnë se numri i bizneseve të regjistruara që përfshijnë sektorin e akomodimit shkon në mbi 7 mijë. Por, jo të gjitha paguajnë tatim.

Zëdhënësja e ATK’së, Valentina Bytyqi-Sefa i ka thënë Gazetës Express se numri i bizneseve që i kanë paguar tatim shtetit gjatë vitit të kaluar është mbi 3 mijë e 300. Deklaron se gjatë të njejtës periudhë janë zhvilluar 4 mijë e 717 vizita.

Motelet, hotelet dhe bujtinat e mbushin buxhetin e shtetit për çdo vit me miliona euro.

Mbi 6 milionë e 600 mijë euro është shuma e parave që këto biznese i kanë paguar shtetit gjatë 2018’ës.

E për shkak të shmangies nga tatimi disa prej këtyre bizneseve edhe janë ndëshkuar.

Bytyqi-Sefa thotë se vetëm gjatë vitit të kaluar numri i bizneseve të ndëshkuara shkon në rreth 1 mijë, derisa janë lëshuar edhe 2 mijë e 526 gjoba.

Gazeta Express ka kontaktuar disa motele (emrat e bizneseve nuk do të ceken në tekst), e të gjithë këta kanë treguar për mënyrën e veçantë si bëhet pagesa.

“Nuk ka nevojë për asnjë dokument identifikimi, ju mund të vini te ne kështu siç dakordohemi përmes telefonit, ju tregojmë dhomën në të cilën keni me pushu dhe ju shkoni drejt aty”, thotë njëri nga pronarët, duke treguar pastaj edhe për mënyrën e pagesës.

“Që me mbet gjithçka anonime, ju pasi që të hyni brenda, i futni paratë në një kuti të vogël e cila gjendet pranë derës së dhomës dhe pastaj ne vijmë i marrim. Kur të kryeni pushimin mund të largoni nuk ju vëren askush, as nuk kemi kamera as asgjë që mund të ju rrezikojë”, kishin deklaruar në një prej moteleve.

Për të parë se a mbajnë regjistra të njerëzve që hyjnë e dalin, Express ka kontaktuar disa motele të ndryshme, në rajone të ndryshme, e të gjithë këta janë përgjigjur njëjtë – nuk kanë as kamera e aq më pak regjistra.

Institucionet përgjegjëse as nuk kanë deklaruar se e kanë të detyruar motelet të mbajnë regjistër e edhe kamera jashtë objektit.

Në MTI deklarojnë se mbikëqyrja e njësive akomoduese behet nga inspektoratet kompetente ne nivel qendror dhe lokal. Deklarojnë se deri më tani nuk kanë pasur asnjë rast të mbylljes së moteleve.

E në Policinë e Kosovës thonë se ndërmarrin aksione në motele kur kanë ndonjë informatë për kryerje të ndonjë vepre penale.

“Policia e Kosovës përmes mekanizmave te saja ndërmerr veprime ne këto lokacione, ne rastet kur posedon ndonjë informacion për kryerje te mundshme te ndonjë vepre penale, dhe varësisht prej natyrës se rastit angazhon edhe njësitet policore”, thuhet në përgjigjet e Policisë drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, në motelet e vendit disa kosovarë dhanë edhe frymën e fundit.

Një 74-vjeçar kishte ndërruar jetë në njërin nga motelet e Gjilanit, mbrëmjen e 23 marsit të këtij viti dhe një tjetër në Rahovec në janar.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për Turizëm të Kosovës, moteli përkufizohet si objekt i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera.

“Moteli – objekti i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera. Objektet ndërtohen jashtë qendrave të banuara, pranë rrugëve automobilistike dhe ofrojnë këto shërbime shtesë pos vendosjes”. /Gazeta Express

MUND TË JU PËLQEJNË