LDK-ja dhe VV-ja mund të dakordohen në dakikun e fundit për hapat e mëtejmë në harmonizimin e qëndrimeve për konstituimin e qeverisë, shkruan “Kosovarja”.

Kur diçka ndodh pesë minuta në dymbëdhjetë, siç thotë populli, ka shije të hidhur, por më mirë vonë se kurrë!

Mospajtimi i dy partive fituese në zgjedhjet e 6 tetorit për presidentin, pozitë e plotësuar edhe një vit e gjysmë me Hashim Thaçin, nuk besohet se është arsyeja e vetme që Kurti–Mustafa nuk u morën vesh për qeverinë deri më tani!

Pak besohet se figura e presidentit i ka ndarë interesat e dy partive për një qeveri të përbashkët.

Por, sot ende ka mundësi që LDK-ja të heqë dorë nga presidenti, apo kjo të lihet për më vonë, kur të vjen koha…

VV-ja dhe LDK-ja e kanë revoltuar popullin, por më shumë elektoratin e tyre, duke humbur kohë me pazare, kryesisht interesash personale dhe partiake.

Pra, për diçka që nuk është as urgjente as në rend dite – për presidentin.

Nëse këto dy parti u rezistojnë sfidave që dalin para tyre dhe grumbullimit të problemeve nga boshllëku i qeverisë Haradinaj, pas dorëheqjes së tij, do të kenë kohë për ta vënë në rend ditë presidentin, edhe pse diçka e tillë zor se do të mund të bëhet edhe pa pjesëmarrjen e partive të tjera në opozitë.

Por, çfarë qeverie do të jetë kjo e dakikut të fundit, nëse ndodh të bëhet?

Pak kush mund të shpresojë në një qeveri stabile që do ta bënte VV-ja dhe LDK-ja!

E para nuk ka njerëz për të vendosur zgjidhje historike për Kosovën në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sfidave me Serbinë.

E dyta, LDK-ja, nuk ka kaçik për të marrë vendime historike në dobi të Kosovës!

Dy partitë që kanë premtuar se pas certifikimit të rezultateve të votimit për 72 orë do ta bëjnë qeverinë, kanë dalë “dardhë e egër” për njëra-tjetrën, por kjo ka ndodhur për interesa personale dhe grupore.

Qeveria që eventualisht do të formohet në dakikun e fundit, do të jetë qeveri e zorit dhe atë duke lëshuar pe LDK-ja, sepse ajo e di që nëse shkohet në zgjedhje të reja, më kurrë nuk do të jetë fituesi i dytë.

Çarshia po flet se nëse LDK-ja nuk heqë dorë nga posti i presidentit, kjo parti do të zhytet në krizë të shpërbërjes dhe fraksionimit.

Në LDK ka shumë grupe të interesit dhe kjo është parë edhe gjatë përpjekjeve të marrëveshjes me VV-në, kur Vjosa Osmani është përcjellë në çdo veprim dhe hap të saj nga nënkryetarët e partisë.

Vjosa Osmani e ka rritur LDK-në në zgjedhjet e datës 6 tetor, por ajo, edhe pse më e votuara e partisë, nuk është parë në shumë tubime të fundit që janë shfaqur për publikun në këtë parti!

Nëse LDK-ja nuk pajtohet për qeverisje me VV-në, pritet të ndodhë ajo që e prisnin kundërshtarët e saj, me rastin e zgjedhjes së kryetarit të saj. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË