Qeveria e Kosovës, ka miratuar Programin qeverisës për tri vjetët e ardhshme.

Kryeministri, Albin Kurti ka theksuar se programi bazohet në marrëveshjen e koalicionit qeverisës dhe pasqyron prioritetet themelore të Kosovës.

Ai tha se deri më datën 13 mars do ta kenë edhe planin e punës për vitin 2020-2023.

Ndërkaq në programin 45-faqësh të Qeverisë Kurti, që ka siguruar koha.net, premtohet aplikimi i shtesave për fëmijë.

Sipas programit, familjet që kanë fëmijë deri në moshën 2 vjeçare do të marrin nga 20 euro në muaj, pastaj, deri në moshën 16 vjeçare do të marrin nga 10 euro në muaj.

Kthimet tatimore – familjet me fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, do të rimbursohen në këtë mënyrë:

150 euro në vit për familjet me të ardhura vjetore nën 5000 euro;

100 euro në vit për familjet me të ardhura vjetore deri në 6000 euro;

50 euro në vit për familjet me të ardhura vjetore deri në 7000 euro;

Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës, në nëntor të vitit 2018, me qeverisjen e kaluar, kishte miratuar rezolutën e harmonizuar nga grupet parlamentare për shtesat e fëmijëve.

Megjithatë, ndonëse ishte premtuar që ndarja të fillojë gjatë vitit 2019, nuk ndodhi./Telegrafi/

MUND TË JU PËLQEJNË