E pranoj: sa herë që kthej në kafeterinë e njohur të kryeqytetit tim , në “ Pini”, asnjëherë nuk më ndodhë, që sapo të afrohem , të mos shqetësohem me ndjenjën se aty do ta takoj dhe është duke më pritur miku im Qani MEHMEDI.

Edhe sot , tek ai i bën dy vjet që ndërroi jetë , më dukej sikur më ka thirrë për ta pirë ndonjë birrë të ftohtë siç e thoshte ai “për ta flladitur këtë shpirt të përvëluar…”

Andaj, kjo është edhe arsyeja përse ka kohë që më rrallë shkoj në “Pini” për çka më qortojnë shokët e vjetër, duke mos e fshehur edhe kureshtjen e tyre për ta ditur mungesën time në atë lokal, në të cilën kam kaluar aq shumë kohë dhe kam aq kujtime të shumta me Qaniun, e i cili, shkurt e shqip: po më mungon shumë dhe aq më shumë kur po jam aty, tek edhe ulem po në atë tavolinë, në të njëjtën,tek ulesha edhe bashkë me të.

Sot, ai bëri dy vjet që iku prej kësaj jete. Sot, kjo ditë me datë 18, më shtyri që të shkruaj këto pak fjalë , për mikun tim, maestron e gazetarisë shqiptare Qani Mehmedin.

Me shumë keqardhje po i shkruaj këta rreshta, (të cilët kurrë s ‘kisha dashur për t’i shkruar) pasi e ndjej veten se jam futur në amullinë e hapësirës tonë ku njerëzit i duam vetëm pasi që të vdesin.

Por, ama për Qanon, e vlen të shkruhet edhe më shpesh dhe të mos shkruhet a të përkujtohet vetëm me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij.

Veçanërisht për shkak, se ai ishte një nga të rrallët, i cili nuk e prangoste arsyen e tij për interesa të kësaj bote e jete “ të çmendur” siç e thoshte ai nganjëherë gjatë ndejave të shpeshta edhe deri vonë natën që e bënim .

Ata, të cilët e kanë njohur , aq më shumë ata që kanë bashkëpunuar e punuar me te në njërën prej mediumeve ku ka punuar edhe Qano , e dinë mirë që arsyeja e tij e ndritur nuk i duronte prangat e autoritetit, por gjithnjë ishte me të vërtetën dhe për të vërtetën.
Gjithnjë udhëhiqej nga e vërteta dhe nuk e frikësonin dertet e sikletet me të cilat do të ballafaqohej në këtë rrugëtim…

Nuk lodhej shumë nga pushtetarët. Dinte rreptë t’i kritikojë edhe ata që i kishte shokë dhe ishin bërë pushtetarë. Kritika e tij nuk ishte rrënuese por ndërtuese. Mendimet i kishte të qarta dhe elokuente.

I bindur jam , se jo vetëm mua , na zë malli për bisedat me të përplot me sinqeritet dhe dashuri për të vërtetën, të cilës asnjëherë nuk i ka ikur.

Ju kujtoj, me Qanon, kishim një shoqëri e jetë afro gjysmë dekade. Nuk janë pak 45 vite.
Sa ikin ditët pa te, aq më shumë po më merrë malli për te.

E përmenda edhe më lartë, sa herë kthej në restorantin “ Pini”, në lagjen Dardania të kryeqytetit, tek kemi kaluar shumë kohë , më duket se aty do e gjej Qanon, me të cilin do i cakërrojmë gotat gjatë ndejës , duke biseduar për shumëçka të jetës jo vetëm të shkuar, por edhe për preokupimet e hallet e qytetarëve , siç thoshte ai “ populli ka brenga:|” . Fliste Qano, por asnjëherë i zhgënjyer.

Gjithmonë me plot vullnet , energji e shpresë për të nesërmen e mirë…

Ehh Qano, shkuan dy vite miku im…Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË