Kanë nisur premtimet e para për prioritetet e partive politike në Kosovë, si parafushatë elektorale, edhe pse ende nuk është shpërndarë Kuvendi i Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Disa premtime që po i dëgjojmë ditëve të fundit nuk jepen për herë të parë. Për shembull, kreu i PDK-së në Mitrovicë thotë: “PDK prioritet e ka veriun e Kosovës”.

Është ndërtuar me vite lagjja më e madhe serbe me investimet direkte nga Beogradi dhe PDK-ja nuk e ka nxjerrë një fjalë të vetme!

E tash, Enver Hoxhaj, nga kryesia qendrore e PDK-së, flet për “Luginën e Diellit” serb në Mitrovicë! Ai në vend se të tregojë për ndonjë iniciativë se si të sfidohet ndërtimi i asaj lagjeje, flet se si është ndërtuar lagjja në fjalë!

Liderët lokalë të PDK-së në Mitrovicë nga paslufta e deri tani nuk janë marrë me veriun e Kosovës, andaj deklaratat e të parit lokal të PDK-së se tash prioritet i partisë së tij na qenka veriu i Kosovës, është spekulim dhe gënjeshtër, një artikulim i turpshëm për diçka që kurrë s’e kanë bërë e as që janë duke e bërë!

Për Mitrovicën më së shumti ka folur dhe ka marrë iniciativa Agim Bahtiri, prej të cilit nuk është pritur asgjë, apo, më mirë të thuhet, është pritur të dështojë qysh në start.

Agim Bahtiri nuk është se ka bërë diçka të madhe në konturat e lidhjeve të qytetit jug-veri, por ai ka qenë më i zëshmi rreth ideve të proceseve për një bashkim të Mitrovicës, duke qenë, të paktën, optimist dhe iniciues i rrënimit të barrierave për shuarjen e kompetencave të strukturave të Rakiqëve në veri.

Sidoqoftë, veriu i Kosovës është vendi më i ndjeshëm sa i përket fushatës elektorale, por nuk është mirë të flitet pa fakte.

Andaj, fushata që ka filluar nga partitë me shumë gënjeshtra, është mirë të kufizohet dhe partitë të bëhen më liberale në premtimet e tyre. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË