Të lumtura që i kanë braktisur podrumet me lagështi të qytetarëve dhe janë vendosur në konvikt. Një ditë e ngarkuar me ligjërata e preokupime të tjera. Por, vjen edhe nata që ato e quajnë “kohë e argëtimit”. Ndoshta edhe i zë mëngjesi duke folur për të dashurit e tyre… E, ç’flasin, shkruan “Kosovarja”.

“Është interesante jeta në konvikt”, thotë Linda, nga një fshat malor i rrethit të Brezovicës, e cila tash e dy vjet është e strehuar në njërin nga konviktet e vajzave dhe shton:

“Nganjëherë mendoj se asnjëra nga ne, vajzat, nuk do mundim të kryejmë kurrë fakultet, sepse ka net që edhe nuk flemë fare!

Rrimë deri vonë, bëjmë muhabet, dëgjojmë muzikë, por jo edhe me zë të lartë, sepse fqinjat tjera na trokasin me grusht në mure”.

Pimë kafe e qesim fall
“Për çfarë kujtoni se kam ardhur në fakultet? Vetëm për të mësuar, a?!

Kam ardhur nga një fshat i largët i Rahovecit që ta kryej fakultetin dhe ta gjej një burrë dhe pikë.

Kosova nuk ka mbetur që unë t’ia zgjidhi problemet… Natën rrimë deri vonë me shoqe dhe pimë kafe e qesim fall. Me fjalë ia gjejmë njëra-tjetrës nga një burrë, secili më i mirë se tjetri…

A nuk është jetë kjo? Hajt se kemi me vdekur dhe s’ka me na përmend askush më… Fati im se familja më lejoi të studioja me arsyetimin tim se do mësoj, kurse mendja ime më rri se si ta gjej një djalë dhe të martohem me të…

Përndryshe, s’di çka do bëja tërë ditën në shtëpi?!”, thotë Ganja, studente e vitit të parë në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës.

Na shkatërroi pagjumësia!
“Thënë të drejtën, mua më pëlqen jeta që bëjmë në konvikt, edhe pse na shkatërroi pagjumësia. Natën i tregojmë njëra-tjetrës për përjetimet e ditës, ia lëshojmë njëra-tjetrës ndonjë fore, e nganjëherë edhe bëjmë ndonjë trillim që t’ia plasim njëra-tjetrës barkun…

Por, edhe pse ka kënaqësi në konvikt, megjithatë, ka edhe shumë xhelozi ndërmjet vajzave. Asnjëra nuk do të të shoh mirë, se kinse ti u kënaqe e ajo po heqë keq…

Kënaqet secila që ia merr të dashurin tjetrës. Se, kinse ajo është më e bukur, më e zonja, më e adhuruar…

Prandaj, është vështirë edhe ta ruash të dashurin, sepse sot e ke e nesër nuk e ke…

Kurrë para orës 2 nuk flemë… Rrallë bisedojmë për provime. Edhe kur flasim për provime, më shumë flasim për profesorët se si na kanë pyetur, si i kemi mashtruar ata, si ua kemi bërë me sy, e të tjera të ngjashme”, thotë Selvija, nga Drenica, studente e vitit të tretë.

Vajza që nuk i intereson politika, as djemtë, as profesorët
“Hata është kushërirë imja, nga Skenderaj. Është në vitin e dytë të studimeve. Edhe ajo është në konviktin e vajzave, por jo edhe në konviktin ku ndodhem unë.

E di se asaj nuk i intereson as politika, as djemtë, as profesorët. Asaj i intereson vetëm mësimi. Deri vonë rrinë në bibliotekë duke mësuar. Thotë se ka ardhur për të studiuar dhe nuk dëshiron t’i korisë familjen.

E, tek pas kryerjes së studimeve për të do të ketë kohë edhe për të gjetur burrin e ëndrrave dhe të krijojë familje”, thotë Valentina, kushërirë e Hatës.

Lamtumirë konvikt!
Bleona është një studente e cila para një muaji mbrojti temën e diplomës në Fakultetin Ekonomik.

Ajo ka shumë kujtime nga jeta në konvikt, nga ndejat me shoqe e shokë, nga kolegët studentë, por edhe nga profesorët me të cilët kurrë nuk pati asnjë mosmarrëveshje…

Mësoi dhe i kreu provimet në kohë. Tash po bëhet gati të përshëndetet me konviktin, me dhomën e saj, në të cilën i kaloi rrafsh tre vjet e gjysmë.

Thotë se jeta studentore është interesante, sidomos qëndrimi në konvikt. Por, edhe gjëja më interesante ka një fund. Ka një “lamtumirë”. Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË