Në Beograd, organizatat joqeveritare, Nisma e të rinjve për të Drejtat e Njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Gratë në të zeza shënuan të mërkurën 20 vjet nga veprat kundër shqiptarëve të Kosovës me një veprimtari në qendër të qytetit.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave thanë se veprimtaria është “një klithmë kundër harresës dhe heshtjes së veprimeve të forcave serbe” dhe thirrje qytetarëve që të bashkë ndjejnë dhe të solidarizohen.

Kosova doli nga lufta, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s 20 vjet më parë, me mbi 10 mijë që humbën jetën dhe mijëra të zhdukur. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.


Javën e kaluar, qeveria e Kosovës hodhi nismën për hartimin e një ligji në bazë të të cilit do të dënohen të gjithë ata që mohojnë të bëmat e luftës në Kosovë.

Brenda dy javësh kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviç dhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, pasi që mohuan të bëmat e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 ndërsa thanë për shqiptarët se janë  “terroristë” dhe për “shpikin ”, për të nxitur bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe.

Beogradi i cilësoi shkarkimet si shkelje të lirisë së fjalës dhe trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb dhe ritheksoi mohimin e veprave të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe.

Por derisa institucionet e Kosovës e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.


Kundër mohimit të mizorive janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Ambasada amerikane tha më herët gjatë kësaj jave se “mohimi i mizorive, fyen kujtimin për viktimat, traumatizon familjet dhe dëmton përparimin në ndërtimin e shtetit demokratik dhe shumetnik”. Përkushtimi ndaj të vërtetës për të kaluarën, thuhej në reagim, “është thelbësor për të ardhmen paqësore”.

Të enjten edhe ambasadori britanik, Ruairi O’Conell reagoi kundër mohimit të mizorive, duke theksuar që “Nëse dëshirojmë të kemi paqe e përparim, duhet të flasim të vërtetën”.

MUND TË JU PËLQEJNË