Isa Mustafa ka kërkuar zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.

Shefi i LDK’së ka thënë se Qeveria e Kosovës s’po i shpallë zgjedhjet e reja dhe po e lë këtë pjesë jashtë ligjit. Ka thënë se një situatë e tillë po lihet qëllimshëm për të përgatitur pazare territoriale me Serbinë.

“Konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, frikësohem se është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”, ka shkruar Gazeta Express.

Ish-Shefi i Qeverisë ka thënë se mungesa e komunikimit të komunave me institucionet qendrore përbën shkelje ligjore e kushtetuese.

“Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK’së ka pyetur Qeverinë nëse këto komuna po vazhdojnë të financohen nga Qeveria, kush po i mbikëqyr si dhe si po funksionojnë prokuroritë e gjykatat në Veri.

“Pse nuk po shpallen zgjedhjet për kryetarë të këtyre komunave”’, ka pyetur Shefi i LDK’së.

Mustafa ka thënë se arsyetimi i Qeverisë se komunat nuk iu kanë referuar Kosovës si Republikë nuk është arsyetim për mos t’u shpallur zgjedhjet e reja.

“Arsyetimi se kryetarët e këtyre komunave iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës me Kosovë e Metohi, nuk justifikon heshtjen e Qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse. Në të kundërtën, ata do të duhej të shkarkohen për faktin se nuk po e pranojnë Republikën e Kosovës, në të cilën kanë konkurruar për kryetarë të komunave. Në këtë rast institucionet po e shkelin ligji.”, ka shtuar ai.

MUND TË JU PËLQEJNË