Lista Serbe është vegël kriminale e Vuçiçit, nëpërmjet së cilës Beogradi zyrtar saboton dhe e kushtëzon shtetin e Kosovës me një politikë konstante të Serbisë kundër Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Serbët e Kosovës, të ndarë andej e këndej lumit Ibër, janë nën kërcënime të vazhdueshme nga Lista Serbe dhe, së fundi, për zgjedhjet e datës 6 tetor kanë arritur që me kërcënime t’ia marrin Partisë Liberale Serbe të Kosovës disa anëtarë.

Lista Serbe është përdorur nga Vuçiçi edhe për vrasjen e politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviqit, i cili nuk ishte bindur të futej nën ombrellën e Milan Radojçiçit dhe Goran Rakiçit, për t’i quar politikat kriminale të Vuçiçit në dëm të Kosovës.

Beogradi zyrtar aktualisht është duke e përforcuar Listën Serbe në Kosovë nëpërmjet politikave kriminale, duke tentuar që të sigurojnë sa më shumë vota për të, në mënyrë që liderët serbë nga Kosova të mos futen në dhjetë vendet e rezervuara të parlamentit të Kosovës.

Përfaqësuesi i Listës Serbe në KQZ është ankuar dhe e ka braktisur mbledhjen e këtij organi zgjedhor, kur e ka kuptuar vendimin se mund të votohet nën validitet vetëm duke përdorur dokumentet e dala nga Republika e Kosovës.

Manipulimet e Listës Serbe përpilohen në Beograd. Gjatë gjithë mandatit parlamentar të kaluar, deputetët e Listës Serbe kanë përdorur porositë e Beogradit.

Dhjetë vendet e rezervuara serbe në Parlamentin e Kosovës do të ishte mirë të fitoheshin nga serbët prokosovarë, e që i njohin institucionet e shtetit.

Por, meqë janë të rezervuara, e që rrjedh nga plani i Ahtisarit, partitë politike shqiptare të mos e varin ekzistencën e kuvendit nga vota e kësaj liste, sikur ndodhi në mandatin që kaloi. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË