Më e keqja është se dikur ishin jarana Glauku e Dardani! Tani, jaranët e dikurshëm, po tregojnë kush çfarë kishte bërë sa kishin qenë te hanxhiu… E, hanxhiu ishte Kadri Veseli, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, shkruan “Kosovarja”.

Pra, një tregim me tre personazhe. Por, që të kuptohet me lehtë storia e kësaj drame, që e ka lodhur edhe të lodhëtin e LDK-së, Avdullah Hotin, duke folur për SHIK-un, duhet kujtuar këtë tregim:

Kishin shkuar në kafe dy jarana. Si Glauku e Dardani, për shembull. Pinë sa pinë dhe, pasi bëhen tapë, dalin nga kafeneja.

Të nxehur nga rakia i thotë njëri-tjetrit, në këtë rast Dardani:

“Po nxehka dielli! A po të vjen nxehtë edhe ty?”.
“Nuk është dielli, por hëna!”, ia kthen tjetri, bie fjala, Glaku.

Dhe, jo është dielli po hëna… jaranat kapen fyte-fytas. Por, gjatë përleshjes aty pari kalon një burrë, shembull Kadri Veseli.

“Ndal!”, i thonë njëri-tjetrit.
“Zotëri, lart, në qiell, a është dielli a hëna?”.

E, ai, demek Kadri Veseli, u thotë:
“Më falni, nuk e di se nuk jam prej këtij vendi!”.

Ai vazhdon tutje rrugën, e jaranat ulen që ta ndezin nga një cigare.

Dhe, teksa përpiqen të ndezin nga një cigare, një erë e lehtë, e që frynte nga ta, ua fikte shkrepësen.

Duke ia kthyer shpinën erës, e duke ikur prej saj, kthehen andej nga edhe kishin ardhur. Pra, në kafene, ku edhe qenë bërë tapë!

“Po tash, ku jemi?”, pyet njëri-tjetrin.
“Jemi aty ku kemi qenë!”.

Por, dikur të kishe qenë në SHIK, goxha njëfarë privilegji ishte… Ama, këta nuk lënë përshtypjen që kanë qenë në SHIK, se Kadri Veseli nuk u ka thënë asnjëherë si u thoshte do të tjerëve: “Ti atje, mos bën ciu-ciu!”.

Demek, e di kush je ti!

Po të kishte qenë ndonjëri përpunues i informacioneve, siç thuhet në Luginën e Preshevës, për shembull, do të ketë qenë goxha një përgjegjësi dhe privilegj.

Nëse ndonjëri ka qenë aty me detyrë, nuk do koment, se, duke dashur të mburren me akreditime të karrierës, duan t’i tregojnë njëri-tjetrit sa të rëndësishëm ishin dikur…

Unë nuk di që këta u kanë marrë materiale të dorës së parë, pra sekrete, njerëzve që kanë pasur fakte, sikur kanë vrapuar do të tjerë, që sot janë, më së paku, deputetë!

E, a kanë qenë në SHIK a jo, u tregon Kadri Veseli, me siguri, gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore!

Kadriut nuk i ngutet të tregojë, por ai e pret momentin kur këta, të dy, të fillojnë të cicërojnë gjatë fushatës elektorale!

Pra, këta nuk kanë qenë në SHIK, por dinë për të tjerët që kanë qenë aty, si për Aida Dërgutin, për shembull.

Por, Aida u tregua burrërore! Nuk flet për shokët e dikurshëm, edhe pse tash i kanë ndarë rrugët politike!

E, kjo është për t’u admiruar, me të vërtetë, sepse dikur kanë qenë shokë, i ruajnë sekretet e dikurshme!

Andaj, shokët mund të jenë shokë përsëri, edhe nëse i ndërrojnë partitë. Por, e kaluara nuk duhet të hapet! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË