Të premten pas dite më kapi paniku. Kisha mbetur në rrugë, i vetëm, i humbur. Disa prej gjërave personale më kishin mbetur në banesë, të tjerat që nuk më duheshin i kisha në veturë. Punën mund t’ma kryente vetëm një person. Ai duhej të ishte hajn, shkruan “Kosovarja”.

Po, vetëm një asi njeri mund t’më kryente punë. Do e paguaja po ta gjeja, por ec e pyete dikë a je hajn!

Nëse do e pyesja, do më turrej qysh e kanë zakon njerëzit tanë, që, edhe kur janë të tillë, të sulmojnë po ua the në sy!

Ulem pranë tavolinës së punës në zyrë dhe flas me vete. Ashtu kanë thënë dikur: Njeriu ka nevojë të flasë shpesh me vetveten dhe t’i bëjë pyetje vetes…

Edhe unë, ulur në karrigen e punës, i fola vetes:
Ku mund ta kisha humbur çelësin e banesës?

Askënd nuk e kam në shtëpi që t’më ketë bërë nervoz. Askush nuk më ka thënë “morgen” me të gdhirë. Askush nuk ma ka prishur e as bërë qejfin gjatë ditës…

Çelësin e kam humbur… Banesa ka mbetur mbyllur. Kam dëgjuar se dyert i hapin hajnat me kartelë banke.

Para tre muajsh, në mëngjes, e gjeta derën hapur! Në mbrëmje e mbylla dhe rashë me fjetur. Por, në mëngjes ishte e hapur!

Më shkoi mendja se mund ta kishte hapur ndonjë hajn me kartelë, e kur të ketë hyrë brenda dhe t’më ketë parë sa i madh jam, do ketë ikur… e derën do e ketë lënë hapur qëllimisht, për t’më thënë të kisha kujdes herëve të tjera, se nata nuk ka besë…

Dhe, nën presionin e humbjes së çelësit, mu kujtua tregimi i shokut që na e tregoi në një ndejë në Holandë dhe më bëri të qesh vetë me vete.

Mysafiri nga Kosova, e që po i bënte ca ditë në Holandë, qëllon me një hajn në ndejë, kurse afër një vajzë e kishte lënë çantën dhe kishte dal të vallëzonte.

Hajni e kish marrë çantën e saj dhe e kishte hapur. Në të ishte një indeks. Para nuk kishte…

Dhe, duke ndie keqardhje se vajza ishte pa para, ia kishte lënë 20 euro në çantë!

“Po t’i lë 20 euro. Mëkat që s’paske asgjë me vete! Ndoshta s’ke para as për bukë!”, i kishte shkruar në letër.

Por, ka edhe më mirë se ky rast, them me vete, duke e kujtuar një batutë apo realitet që e kam dëgjuar këto ditë.

Kur hajni i mbanë juristët…
Takohen dy shokë. Njëri e pyet tjetrin:
“Si je, o mik? A të janë rritur fëmija dhe a po munden me ta dhënë krahun?”.

“Po, mirë shumë i kam!”, ia kthen ai.
“Sa i ke?”.
“Katër”.
“A punojnë?”.

“I madhi ka kryer juridikun, por i papunë. I dyti ekonomikun, por edhe ai s’ po gjen punë qe sa vite. . Vajza e ka kryer fakultetin dhe është doktoreshë, por me diplomë në xhep , e po i premtojnë por, por veç fjalë…

“Mashalla! Katër më duket i pate, a?”.
“I katërti është hajn”.
“Aiiii, çka më the bre mik, të gjithë i paske mirë, veç hajnit që të paska dhënë hije të zezë!”.

“Jo, mik, jo! Mu hajni na mban të gjithëve! Mos ta kishim hajnin as bukë nuk do ngopeshim!”.

Ku ta gjej edhe unë një hajn?
Qesha me vete në zyrë. Çelësi humbi. Mos më ka rënë duke e parkuar veturën në garazh…

Me të arritur te banesa mendoja ku ta gjeja një hajn
që ma qel derën e blinduar të banesës.

Dhe, teksa mendja më shkon gjithkah, dëgjoj se dikush i afrohej garazhit ku isha unë.

“A të ka humbur diçka?”, më pyet.
“Po, më ka humbur çelësi i banesës dhe kam mbetur pingale!”.

“A do të ta hap unë?”, më thotë.
“A e ke gjetur çelësin tim, a?”, i them.
“Jo-jo, nuk e kam gjetur, por mund të ta hapë derën”, ma ktheu.

Eh, mendoja t’ia bëja ndonjë pyetje, por më ndalet fjala në gojë. Mund ta hapë derën, ndoshta, me kartelë banke, se kam dëgjuar që hapet…

“Jo me kartelë, sepse mund të dëmtohet kartela. Por, gjeje një shishe të vogël plastike”, më thotë ai.

Dhe, pasi ia solli një shishe, e bëri dyfish dhe u nisëm drejt banesës. E futi lart shishen e bërë dyfish dhe e hapi derën, madje më lehtë sesa unë me çelës!

“A më mëson, he burrë, edhe mua?!”, i them unë.
“Lehtë është kjo punë. Më lehtë e hapë derën me plastikë sesa me çelës”, më thotë në formë talljeje.

“Faleminderit! A ka nevojë të të paguaj diçka, he burrë, se më kreve punë!”, i them.
“Lere komshi, farë pagese allahile!”, më thotë troç.

Kur profa mundohet ta kalojë studenten në provim…
Ka shumë njerëz të mirë që duan të të ndihmojnë, edhe kur s’e meriton.

Të mërkurën, më 29 gusht, në kafeteri te nipi, pinim birra katër veta. Njëri ndër ne profesor universitar i një lënde shumë të rëndësishme.

“Dikë e ndihmon, por nuk e meriton!”, tregon ai për një studente që donte ta kryente fakultetin, por që nuk e meritonte. Erdhi një burrë të intervenojë për atë vajzë. I premtova se do e kaloja. Ia bëra një pyetje shumë të lehtë, që lidhej me kripën. Por, ajo s’e qëllonte fare. Duhej të thoshte se këtij elementi kimik duhej t’i shtohej edhe kripa, për ta fituar formulën e plotë…

Duke parë që nuk po ia del, e pyeta:
“A ke qenë ndonjëherë në deti?”.
“Po, bile shkoj dy herë në vit”, ma ktheu.
“A të ka hyrë uji i detit në gojë?”.
“Po, shumë herë bile!”.

“E, pra, çka ka në det?”, e pyeta, duke menduar se, më në fund, do të thotë se në deti ka kripë.

Ajo më tha:
“Në det ka peshq”. Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË