Shumica sot kanë startuar ditën me një foto të nënës me mbishkrim ‘Happy mother’s day’ apo që në shqip do të thotë ‘Urime dita e nënës’.

Por as dhuratat nuk kanë qenë të pakta për këtë ditë, madje një buqetë me lule është pikërisht simbol i kësaj feste, shkruan “Kosovarja”.

Por realisht, 8 Marsi ndërthur në vete një histori tjetër. E që natyrisht shumica prej njerëzve nuk ia kanë idenë.

8 Marsi nuk i atribuohet nënave, por është personifikim i parë i gruas në shoqëri, që në përgjithësi u takon të gjitha grave e jo vetëm nënave siç e kanë keqkuptuar kosovarët.

Madje, as vetë gratë nuk e dijnë historikun e ditës së 8 të muajit mars.

“ Për 8 mars e uroj t’parën nanën, pasi kjo osht dita e saj” thotë një qytetare pa ditur për historikun e kësaj dite.

Edhe qytetarja D. Kumnova nuk kishte njohuri për historikun e kësaj feste, ajo tha se “dal blej lule, dhe ia dhuroj nanes, apo edhe gjyshes”.

Me të njëjtat njohuri si këto është edhe qytetarja me iniciale F. Rama e cila thotë se “kjo ditë asht mbet simbol për ditën e nanës, ashtu e kemi mësu qysh kur jemi kan fmij”.

Por, më e çuditshme ishte se as shitëset e luleve nuk e dinë historikun e kësaj dite.

Mbrëmë tek sa vizituam një lulishte në një cep të një qendrës tregtare pyetem shitësen, e cila njëjtë si të parat nuk dinte asgjë më shumë rreth kësaj date.

“E di që e festojmë si n’shej të ditës nanës, me kit arsye vijnë edhe kërkojnë lula. Po du lula mi ble nanës, asht kërkesa ma e shpesht që m’bahet për 8 mars” thotë luleshitësja, e cila ka vite që punon në këtë vend.

Por, hiç më mirë se gratë as burrat nuk janë në këtë aspekt.

E. Lajçi i takuar po në atë lulishte i pyetur se a ka njohuri pse festohet 8 marsi tha se: “kam dal mi ble lula nanes , e grus thjesht për respekt masi kjo dit u met festë e tyne”

Ngjashëm si i pari, as A. Ahmeti nuk kishte njohuri për historikun e 8 marsit:
“Për cdo 8 mars ose blej, lule, ose çokolada, për t’ia ambelsu këtë ditë pak grues haha” jo që kam naj ide të madhe se pse festohet, thjesht jam rrit me iden se osht dita e nanes, e grus”.

Por, çfarë ndërthur realisht në vete kjo ditë, pse festohet 8 Marsi?

Dita Ndërkombëtare e Gruas (DNG) festohet më 8 mars çdo vit. Ajo përkujton lëvizjen për të drejtat e grave.

8 marsi njihet si “Dita e Gruas”, në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada.

Në mbledhjen Socialiste Ndërkombëtare në Kopenhagën më 1910, u vendos që ‘Dita e Gruas’ të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e e tyre dhe për ti mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në këtë konferencë morën pjesë 100 gra, nga 17 vende të botës, midis tyre dhe tre gratë e para të cilat u zgjodhën si pjesëtare në parlamentin e Finlandës.

Më 8mars të vitit 1910 në SHBA , Kanada e në vende të tjera të botës u bënë protesta të mëdha për të drejtat e gruas dhe pikërisht atë ditë të drejtat e gruas dhe të burrit janë të drejta.

Ndryshe, edhe në Kosovë kohët e fundit ka filluar që në shenjë të kërkimit të drejtave të barabarta të grave, të protestohet për 8 mars e jo të festohet.

 /Kosovarja/.

MUND TË JU PËLQEJNË