12 vjet nga plani i të dërguarit special të OKB-së, Marti Ahtisarit, Kosova ende nuk është bërë shtet, por s’ka mbetur as krahinë, shkruan “Kosovarja”.

I dërguari special i OKB-së për statusin e Kosovës, finlandezi Marti Ahtisari, projektoi një konturë kushtetuese për Kosovën, ku serbët e Kosovës do të kenë të drejta të rezervuara në jetën qytetare, me ekstra-trajtim të qytetarëve të privilegjuar.

Prania e deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës do të ishte e garantuar me Kushtetutë, në kundërshtim me rregullat e KQZ-së.

Serbët do të fitonin komuna të reja mbi bazë të decentralizimit të pushtetit lokal. Komunat e reja serbe do të prodhonin pak më vonë idenë e enklavizimit të Kosovës dhe efekt pengimi ligjor të bërjes shtet të Kosovës dhe të ushtrimit të funksioneve shtetërore në tërë territorin e vet gjeografik.

Dhjetë vjet shteti i Kosovës nuk do të kishte të drejtë ta dërgojë në Veri ushtrinë e vet, nëse ajo do të bëhej.

E, tash, që ushtria është formuar, edhe pse qe 20 vjet jemi çliruar, në Veriun e Kosovës Serbia ka krijuar rend politik dhe anarkik me struktura të MUP-it të Serbisë.

Më e keqja është se Serbia po e kërcënon me ushtri Kosovën, kurse zyrtarë të lartë të NATO-s thonë se atje nuk mund të zbarkojnë strukturat e ushtrisë së shtetit të Kosovës!

Kosova, në fakt, sot është shtet i shpallur konform të drejtës ndërkombëtare, që e deklaroi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, por shteti i Kosovës nuk funksionon në tërë territorin e vet!

Një pjesë e territorit të Kosovës kontrollohet pjesërisht nga sistemi i sigurisë vendore, por edhe ajo siguri publike atje është tepër e brishtë!

Andaj, Korniza kushtetuese e Marti Ahtisarit për Republikën e Kosovës, ka boshllëqe të rënda në legjislacion dhe zbatim praktik në terren.

Kjo kornizë kushtetuese nuk e lejon shtetin ta zbatojë politikën zyrtare, aq më shumë që strukturat qeveritare të Kosovës kanë qenë vetëm spektatore në Veriun e Kosovës, përballë kolonizimit që po ndodh atje.

Kolonizimi i Veriut po ndodhë çdo ditë dhe ai ka filluar qe 20 vjet!

Kosova as nuk është federalizuar, sepse nuk ka territor për dy federata. Por, për nga funksionimi dhe pengesat qeverisëse, i përngjanë shumë Bosnjës e Hercegovinës, edhe pa u bërë akoma Asociacioni i komunave serbe!

Andaj, Plani i Ahtisarit duhet modifikuar, sepse ai është demoduar ligjshmërisht dhe praktikisht është i pazbatueshëm në terren, ashtu sikur që është demoduar edhe UNMIK-u, e i cili funksionon vetëm për interesat e Serbisë!

Habit fakti se Kosova e ka shpallur Pavarësinë qe 10 vjet, kurse ende figuron Rezoluta 1244 e KS, e cila u shërben serbëve dhe Rusisë për të vepruar në Kosovë! Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË