Svirca është një vendbanim në komunën e Kamenicës, i ndarë në Kongresin e Berlinit në dy pjesë, më 1878. Pjesa e Svircës që ka mbetur në pjesën e Medvegjës është rreth 2 herë më e madhe. Në vitin 1948 Sfirca ka pasur 645 banorë, kurse tash i ka vetëm disa shtëpi, shkruan “Kosovarja”.

Por, që nga viti 1981 ka pasur vazhdimisht zvogëlim të popullsisë, si pasojë e emigrimit të banorëve në drejtim të qendrës komunale të Kamenicës, Gjilanit dhe Prishtinës.

Mirëpo, edhe ata banorë që patën mbetur gjatë luftës u shpërngulën, si pasojë e pasigurisë. Tash në këtë fshat jetojnë vetëm 59 banorë, shkruan “Kosovarja”.

Në fshatin Svircë të Kamenicës, paslufte jetojnë vetëm disa familje, sepse shumica e banorëve që moti janë larguar nga ky fshat, shkaku i kushteve të vështira jetësore. Por, edhe ato pak familje që ende ndodhën në të, jetojnë në terr dhe me rrugë të pakalueshme.

Trafo afër fshatit është vjedhur paslufte dhe që nga ajo kohë fshatarët jetojnë me dritat e qirinjve apo të llambave me vajguri, si para 60 vjetësh, e që jetohej në shumë fshatra në Kosovë.

“Trafon e kanë vjedh menjëherë pas lufte dhe që nga ajo kohë jetojmë në terr, pa rrymë”, thonë ata pak banorë që kanë mbetur në fshat.

Banorët mundohen t’i kryejnë punët e shtëpisë para se të bie terri dhe ngujohen brenda shtëpive sa më herët, e kjo ma kujton kohën kur isha fëmijë, para 60 vjetësh, e që sapo ktheheshim nga arat, hanim darkë shpejt dhe binim në gjumë, sepse rrymë nuk kishte në anën tonë e gazi tymonte dhe era e rëndë pengonte frymëmarrjen.

Dhe, sado që banorët e këtij fshati janë ankuar në komunë për përmirësimin e jetesës së tyre, deri më tash nuk është bërë asgjë…

E, kur kësaj i shtohet edhe afria me kufirin e Serbisë, ku shumë afër patrullojnë policë me uniforma të Serbisë, nata në këtë fshat është sa një vit! Vështirë, a? Isa ILAZI /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË