Kosova shënoi sot fitore historike në futboll kundër Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo fitore e jashtëzakonshme nuk kishte si të kalonte pa u vërejtur nga mediat ndërkombëtare, në të cilat Kosova është top-lajm.

“Kosova fiton ndaj Çekisë me një gol të vonshëm në kualifikimet evropiane”, është titulli që agjencia e famshme e lajmeve “Reuters” i ka vënë fitores së “Dardanëve”.

Aty përmendet suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës dhe fakti se kjo kombëtare u pranua vetëm në vitin 2016 në FIFA dhe UEFA.

“Dailymail”, e ka konsideruar si të jashtëzakonshëm rikthimin e Kosovës në rezultat pas disavantazhit 0-1.

Ky medium shkruan se Kosova do të vijë në Angli si kombëtarja me ecurinë më të gjatë pa humbje në Evropë.

Nuk kishte si mos të cekej fakti që Kosova në këtë ndeshje luajti pa pesë lojtarët kryesorë.

E se Kosova ka gjasa të kualifikohet në Evropianin e 2020-tës, po e thotë mediumi kryesor britanik, “BBC”.

Këta të fundit theksojnë faktin se Kosova është aktualisht lidere e grupit, mirëpo se situata mund të ndryshojë pas ndeshjes Angli – Bullgari.

Kujtojmë, se Kosova sot shënoi fitore tejet të rëndësishme me rezultat 2-1 kundër Çekisë, kundërshtarit kryesor për vendin e dytë në eliminatore.

MUND TË JU PËLQEJNË