Javën e kaluar një incident ka ndërprerë punën e grave të Kooperativës Bujqësore “Krusha” në Rahovec. Një pjesë e fabrikës së tyre ishte kapluar nga zjarri. Përkundër kësaj, vullneti i tyre ishte i madh për të vazhduar prodhimin e produkteve të tyre, sa nuk pranuan as ndihma nga shumë qytetarë të Kosovës.

Për të diskutuar për këtë, punën e kooperativës, prodhimtarinë, sfidat, përkrahjen e institucioneve karshi tyre, viktimat e Krushës dhe të pagjeturit, për KosovaPress flet drejtoresha e Kooperativës bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti.

Hoti tregon në detaje incidentin dhe mënyrën si e ka kapluar zjarri fabrikën e tyre, teksa thotë se dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

“Gjatë kohës së zierjes së ajvarit ka dal një aksident, u dogj fabrika. Kur e kanë pa punëtorët veç tym e flakë, por fatbardhësisht momentet kur e kanë pa tymin qytetarët e Krushës e kanë fikur për pak orë. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Jemi në fluksin e prodhimit, në pjesën e përpunimit të ajvarit dhe pak me vështirësi e kemi marrë vetën. Motivi i grave ka qenë aq i fort sa pas shuarjes së zjarrit kanë filluar me punë… Jashtëzakonisht shumë na ka penguar, tash sa kemi qenë në atë fazën e përpunimit të ajvarit dhe na ka stagnuar. Ka qenë pak ma e keqe që konsumatorët që vijnë vite me radhë kanë pas mungesë të ajvarit dhe s’kemi pas mundësi me i furnizuar me ajvar”, thotë ajo.

Duke folur për refuzimin e ndihmave që iu kishin ofruar për të rindërtuar njërën pjesë të fabrikës, Hoti thotë se ndihma ma e madhe që ka marrë është shpëtimi i punëtoreve që ishin duke punuar në atë kohë.

“Në moment prej stresit dhe prej asaj kur e pash që gratë kanë shpëtuar dhe vetëm objekti është dëmtuar, kam thanë nuk dua ndihmë. Kam marrë vendimin që nuk dua ndihmë, pasi ndihma ma e madhe prej Zoti ka qenë që më kanë shpëtuar punëtoret. Po mandej të nesër e kam pa që edhe një pjesë e fabrikës që është djegur e ka pas vlerën e madhe. Boll qytetarët e Kosovës e kanë ndihmuar kooperativën, kanë ble produktet tona, kanë konsumuar dhe unë jam falënderues. Sa i përket dëmit që ka ndodhur ajo është më shumë obligim i Qeverisë së Kosovës sesa i qytetarëve”, thotë ajo.

MUND TË JU PËLQEJNË