E kishte pritur nëntë muaj për t’ia parë fytyrën. Por, atë moment, Mirlinda Dërnjani, 27-vjeçare, nuk mundi ta përjetonte. Ajo ndërroi jetë mbrëmjen e 5 janarit të këtij viti. Mjekët e spitalit të Gjilanit nga barku i së ndjerës arritën që përmes operacionit t’ia nxjerrin foshnjën të gjinisë mashkull. Dyshohet se sulmi në tru ka qenë shkaktari i vdekjes së hershme të Mirlindës. Ajo ka lënë pas tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Bashkëshorti i së ndjerës thotë se gruaja e tij nuk kishte shfaqur ndonjë brengë për ndonjë problem shëndetësor. 

Ende duket e paqartë ajo se çka ia ka shkaktuar vdekjen 27-vjeçares, Mirlinda Dërnjani, nga Gjilani. Ajo në muajin e nëntë të shtatzënisë, gati pa shenja jete, ishte dërguar në spitalin e Gjilanit nga burri i saj. Në gjendje shoku, ajo ishte shtrirë në klinikën emergjente. Mjekët e kësaj klinike kishin përballë vetes dy pacientë. Trupin e 27-vjeçares si dhe të foshnjës që ajo po e mbante në bark.

Nën masat e reanimacionit mjekët e emergjencës ishin përpjekur ta mbanin në jetë 27-vjeçaren. Por, kur e panë se gjasat janë të vogla, ata vendosën që përmes operacionit t’ia largojnë foshnjën, e cila ishte ende gjallë.

Detaje për këtë rast ka dhënë sot gjatë ditës drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, dr. Nysret Hajrullahu.

“Zonja Mirlinda Dërnjani, e moshës 27 vjeçe, ka ardhë në spital pa shenja jete. Pulsi i zemrës, frymëmarrja, të gjitha kanë qenë të ndaluara. Me rastin e ardhjes së të ndjerës me veturë private, ka fillu ekipi i reanimimit me u marrë me rastin. Gjinekologu është thirre, ngase gruaja ka qenë shtatzënë. Me ultrazë është konstatua që fëmija kishte ende rrahje të zemrës dhe gjinekologu ka vendosë ta nxjerrë fëmijën përmes prerjes cezariane”, deklaron për pacienten doktori.

Ai ka thënë se edhe foshnja kur është nxjerrë nga barku i nënës së ndjerë kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët kanë vazhdu me reaniminin e fëmijët, gruas. Ka ardhë neonatologu, kirurgu e të gjitha aktivitetet që ta reanimojnë gruan dhe fëmijën. Gjithçka kemi ba që t’i mbajmë në jetë këto dy jetë. Por fatkeqësisht nuk mundëm”, thotë doktori.

Ai tregon edhe për gjendjen shëndetësore të foshnjës.

““Është nxjerrë fëmija dhe ka fillu reanimimi në të dy frontet. Në njërën anë foshnjën e në anën tjetër nëna e cila kishte probleme”, sqaron tutje, drejtori i spitalit i cili ka marrë pjesë në operacion.

Sipas tij, “edhe fëmija kur është nxjerrë nga barku i nënës është parë se është fëmijë i vujtun, sianotik, me reanimim janë kthyer parametrat edhe te fëmija. Gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile”, ka deklaruar doktori.

E ndërkohë, bashkëshorti i viktimës, Selamiu, në një bisedë , ka deklaruar se gruaja e tij nuk ishte ankuar asnjëherë se ka pasur ndonjë problem shëndetësor. Ai thotë se dje gjatë gjithë ditës kishte qenë mirë me shëndet deri në orët e para të mbrëmjes.

“Nuk ka pasë ndonjë shqetësim asnjëherë. Deri në muajin e nëntë shtatzënia i ka shku e gjitha mirë. Edhe gjatë ditës së djeshme ka qenë mirë. Por në mbrëmje gjendja iu përkeqësua. I ra të fikët. Më tutje nuk po dimë as vetë se çka ka ndodhë”, ka deklaruar burri i të ndjerës.

Ndërkohë, neonatologia në Spitalin e Gjilanit, Zijavere Azizi, sqaroi se gjendja shëndetësore e foshnjës sot është stabile.

“Me gjithë parametrat vitalë është duke i mbajtur në kuadër të vlerave normale, është i mbuluar me terapi, kuptohet gjendja e tij nuk është krejtësisht e mirë për shkak të reanimimit e asfiksisë që ka pasë në ditën e djeshme, po është duke u mbajtë në gjendje stabile”, thotë doktoresha Azizi.

E varrimi i të ndjerës është bërë gjatë ditës së sotme në varrezat e fshatit Keshnakollë të Gjilanit. Ajo ka lënë pas tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, si dhe bashkëshortin. /GazetaExpress/

MUND TË JU PËLQEJNË